Maqedoni

QMK: Gjithsej 23 zjarre brenda 24 orëve

21.07.2025 15:28

Vendi vazhdon të përballet me kërcënime serioze nga zjarret....

Vendi vazhdon të përballet me kërcënime serioze nga zjarret. Qendra për Menaxhimin e Krizave njoftoi se në 24 orët e kaluara janë regjistruar gjithsej 23 vatra zjarri në të gjithë vendin, gjashtë prej të cilave janë ende aktive, tre janë vënë në kontroll dhe një është shuar plotësisht. Zjarre aktive ka në komunën e Vasilevës, Resnjë, Makedonski Brod, në Prilep dhe Zhelinë. Kompetentët thonë se për shuarjen e zjarrit po intervenohet edhe nga toka edhe nga ajri. 
 
“Zjarri në rrethinën e komunës së Vasilevës, përveç ekipeve të njësiteve territoriale kundër zjarrit dhe ndërmarrjes publike “Pyjet Nacionale”, po bëhet edhe intervenim nga ajri, me një helikopter të MPB-së dhe air-traktor të drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Po ashtu janë angazhuar edhe dy automjete të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe 30 pjesëtarë të armatës.”, bëjnë të ditur nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
 
Ata njëherit theksojnë se për fat të mirë, zjarret në komunën e Zhelinës, komunën e Velesit dhe komunën e Strugës janë vënë nën kontroll dhe nuk ka rrezik për popullsinë në ato rajone. Autoritetet vazhdojnë me apel tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura, pasi kushtet e motit dhe bimët e thata kontribuojnë në përhapjen e shpejtë të zjarreve. 
 
ARDITA RAMADANI