Maqedoni

Kasami priti Mickoskin në Tetovë, vizituan gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”

21.07.2025 16:06

Kreu i Tetovës, Bilall Kasami dhe kryeministri, Hiristijan Mickovski, kanë inspektuar punimet në rikonstruimin e gjimnazit “Kiril Pejqinoviq”...

Kreu i Tetovës, Bilall Kasami dhe kryeministri, Hiristijan Mickovski, kanë inspektuar punimet në rikonstruimin e gjimnazit “Kiril Pejqinoviq”, të paraleles në gjuhën maqedonase në Tetovë. Kasami tha se vetëm muret e objektit do të ngelin të njëjtit, gjithçka tjetër do të rindërtohet. Sipas Kasamit, Tetova po transformohet në të gjitha aspektet duke investuar në arsim dhe kushte më të mira për nxënësit.
 
“Është donacion që tërësisht do të rikonstruohet nga themeli, përveç mureve që do të ngelin dhe gjithçka tjetër do të ndërtohet nga e para, me çka ky objekt do të marrë një pamje ashtu siç e meriton. Nxënësit që do të mësojnë në këto objekte shkollore do të kenë kushte më moderne për të mësuar. Me të gjitha investimet që bëhen në komunën e Tetovës, veçanërisht në arsim në ndërtimin e objekteve të reja si shkollave fillore të mesme, terreneve sportive në kuadër të shkollave, pishinave, sallave të sportit, dalëngadalë po e transformojmë arsimin në Tetovë, ku edhe Tetova bëhet një qytet, në të cilin nxënësit tanë do të kenë kushte evropiane për mësim.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se investimet mbi 15 milionë euro në Tetovë nuk janë vetëm asfalt e beton, por mirëqenie e qytetarëve. Mickoski, duke kritikuar paraardhësen e Kasamit në krye të Tetovës, Teuta Arifin, tha se tani nuk është koha për të vjedhur, por për të ndërtuar.
 
“Pra, jam i sigurt se në të ardhmen nga ky objekt do të dalin shumë njerëz që do t'i shtojnë vlerë, jo vetëm Tetovës, por edhe Maqedonisë si shtet. Komuna  e Tetovës merr financim praktik të projektit me vlerë rreth 11.5 milionë euro. Nëse kësaj i shtojmë 3.7 milionë euro nga thirrja e parë, arrijmë në një shumë më të madhe se 15 milionë euro. Nuk janë vetëm para, nuk janë vetëm asfalt dhe beton, do të thotë një jetë më e mirë për qytetarët, një cilësi më e mirë jetese për qytetarët, diçka që nuk ka ndodhur kurrë në histori, jo vetëm në Tetovë, por edhe në të gjithë vendin. Ne vazhdojmë të zbatojmë atë që premtuam, vazhdojmë të zbatojmë atë që qytetarët presin nga ne si Qeveri. Koha kur vidhnin ka mbaruar, tani është koha për të ndërtuar, në Tetovë dhe në të gjithë Maqedoninë. Ky është ndryshimi midis kësaj Qeverie dhe këtij kryetari të komunës dhe asaj që ishte në të kaluarën dhe Qeverinë e mëparshme.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
Përndryshe, Tetova nga ndihma qeveritare ka fituar projektin e ndërtimit të shkollës tekstile, rrjetin e ujësjellësit për lagjen 146 dhe lagjen jashtë Vardarit, ndërtimin e dy pishinave  në shkollat fillore dhe disa projekte të tjera infrastrukturore.
 
VISAR SADIKI