Rajon

Shqipëri, zjarre në zonën kufitare

21.07.2025 16:50

Në zonën kufitare të Kapshticës, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe prej rreth 250 hektarësh me shkurre dhe bimësi...

Në zonën kufitare të Kapshticës, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe prej rreth 250 hektarësh me shkurre dhe bimësi. Në terren po punojnë mbi 70 forca të emergjencës, nga bashkitë e Devollit, Korçës, Maliqit dhe Pustecit, të ndihmuara nga policia, shërbimi pyjor dhe banorët e zonës. Për shkak të përhapjes së flakëve pranë kufirit, në ndihmë kanë mbërritur edhe forca zjarrfikëse nga Greqia.
 
“Zjarri nisi mesditën e së dielës dhe u përhap me shpejtësi për shkak të erës. Kemi kërkuar ndihmë nga bashkitë fqinje dhe pala greke. Janë shpëtuar disa banesa dhe një fermë bletësh në Vërnik.”, - deklaroi drejtori i Zjarrfikëses “Devoll”, Genti Xhafka.
 
Policia lokale bëri të ditur se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga një 79-vjeçar, banor i fshatit Vërnik, i cili kishte ndezur zjarr për të djegur barishtet, por flakët dolën jashtë kontrollit për shkak të erës së fortë.
 
Ndërkohë, situatë e rënduar paraqitet edhe në malin e Dukatit në Vlorë, ku zjarri vijon prej disa ditësh. Në terren ndodhen 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 17 zjarrfikës. Autoritetet lokale kërkojnë ndërhyrje nga ajri, për të frenuar përhapjen e flakëve drejt Parkut Kombëtar të Llogorasë. Sipas bilancit të Emergjencave Civile, 269 hektarë pyje dhe kullota janë djegur në të gjithë Shqipërinë. Vatra të tjera aktive raportohen në Parkun Kombëtar të Lurës, në Mat e Elbasan, por pa rrezik për zonat e banuara.
 
LULJETA NDOKA