Botë

Rusia ashpërsoi sulmet në Ukrainë, ushtria ruse sulmoi me 500 dronë dhe 25 raketa

21.07.2025 17:17

Forcat e armatosura ruse kanë kryer sulmet ajrore më të mëdha deri më tani në Ukrainë...

Forcat e armatosura ruse kanë kryer sulmet ajrore më të mëdha deri më tani në Ukrainë, me 500 dronë dhe 25 raketa lundruese. Janë sulmuar Kievi, Harkiv, Odesa dhe Zaporozhie. 
 
"U trondita kur pashë se e gjithë banesa ime ishte rrënuar. Dëgjoheshin sirenat, sulmi ende vazhdonte. Kur përfundoi, shkova të shoh se si digjej vendbanimi im. Shumë njerëz mbetën pa strehë, por më e rëndësishmja është që shumica prej nesh jemi gjallë.", - theksoi banori i Kievit, Vadim Volkov.
 
"Në një rajon digjej një kompleks banimi. Në një tjetër, u dogj një qendër tregtare. Në një të tretë u godit edhe një kopsht fëmijësh. Në total, u goditën gjashtë rajone në Ukrainë.", - deklaroi drejtuesi i Shërbimit Shtetëror të Alarmeve në Ukrainë, Pavlo Petrov. 
 
Nuk mungoi kundërpërgjigja ukrainase. Ushtria ukrainase lëshoi një seri dronësh mbi aeroportet në Moskë, ku mijëra pasagjerë mbetën të bllokuar, përfshi aeroportin qendror, Sheremetjevo. Derisa situata është tensionuar, në Ukrainë ndodhet për vizitë ministri i Jashtëm francez, Baro. Personeli i ambasadës franceze, ashtu si edhe banorët e Kievit, kaluan natën në strehimore, deklaroi kryediplomati francez, i cili i vëzhgoi nga afër pasojat e bombardimeve ruse.
 
“Presidenti Zelenski theksoi gatishmërinë e Ukrainës për negociata të reja me Rusinë. Prandaj miratuam paketën më të madhe të sanksioneve evropiane për të rritur koston e luftës për Rusinë dhe për të ushtruar presion mbi Putinin që të ndalojë zjarrin, që kjo të çojë më tej drejt një paqeje të qëndrueshme.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Francës, Zhan Noel Baro. 
 
Pa marr parasysh ashpërsimin e sulmeve, paralajmërohet se negociatat mes Kievit dhe Moskës në Stamboll, pritet të vazhdojnë gjatë javës. Në një bisedë telefonike me presidentin turk Erdogan, presidenti rus Putin ka theksuar angazhimin e tij për të gjetur një zgjidhje diplomatike për luftën në Ukrainë. Për zgjidhje diplomatike angazhohet edhe Kievi zyrtar. 
 
FITORE DEMOLLI