Maqedoni
BDI dhe ASH akuza ministrit Aliu: Mashtroi për punësimet në spitalin e Tetovës
21.07.2025 17:44
BDI shpreh indinjatën dhe shqetësimin më të thellë për mosdhënien e pëlqimit për marrëdhënie të përhershme pune për 155 motra medicinale në Spitalin Klinik të Tetovës...

Bashkimi Demokratik për Integrim me anë të një reagimi shpreh indinjatën dhe shqetësimin më të thellë për vendimin e Qeverisë aktuale VMRO-VLEN për mosdhënien e pëlqimit për marrëdhënie të përhershme pune për 155 motra medicinale në Spitalin Klinik të Tetovës.
“Një vendim i tillë është jo vetëm i padrejtë dhe politikisht i motivuar, por bart në vete edhe elemente të diskriminimit të hapur etnik dhe gjinor. Në vend që të vlerësohet profesionalizmi dhe sakrifica e këtyre punonjëseve, shumë prej të cilave ishin në vijën e parë të përballjes me pandeminë, atyre u është kthyer shpina në mënyrën më të padenjë të mundshme. BDI, si parti shtetformuese që ka kontribuar në ndërtimin e sistemit të barabartë dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, e konsideron këtë vendim një precedent të rrezikshëm, që dëmton seriozisht besimin në institucionet shtetërore, minon themelet e bashkëjetesës dhe rikthen logjikën përjashtuese të së kaluarës. Është e papranueshme që në një shtet që aspiron integrimin evropian, të përjashtohen me një të rënë të lapsit 155 nëna e motra shqiptare, për shkak të një qasjeje të mbyllur, të politizuar dhe të verbër ndaj realitetit shoqëror të vendit.”, theksojnë nga BDI.
Edhe ASH e Arben Taravarit ka deklaruar se ministri aktual i shëndetësisë, Azir Aliu ka mashtruar 155 punonjës shëndetësorë në Tetovë, duke u premtuar se problemi me ta do të zgjidhet dhe se do të ketë vendime pune.
