Botë
Libia lëshon alarmin, mes emigrantëve të mesdheut, edhe militantë të IS-IS
17.05.2015 15:28
Libia jep alarmin se trafikantët e e emigrantëve ilegalë, po i fshehin luftëtarët e ISIS-it mes refugjatëve, që mbushin anijet e nisura përmes Mesdheut...

Autoritetet thonë se këtë informacion e kanë marrë nga vetë pronarët e mjeteve, në disa pjesë të Afrikës së Veriut të kontrolluara nga ISIS-i.
Grupi ekstremist ua lejon trafikantëve vazhdimin e aktivitetit, por u merr në këmbim 50% të të ardhurave. Sipas llogaritjeve të OKB-së, vetëm këtë vit, detin Mesdhe janë përpjekur ta kalojnë 60.000 vetë.
Më shumë se 1.800 prej tyre mendohet të kenë humbur jetën, gjatë një udhëtimi, që si shpeshherë kryhet me anije të mbushura përtej kapacitetit dhe të papërshtatshme për lundrim.
Sipas autoriteteve të Libisë , ISIS po i përdor anijet për njerëzit e tij, që kërkon t’i dërgojë në Europë dhe forcat policore europiane, sipas tij, nuk kanë sesi ta kuptojnë se kush është refugjat normal e kush jo.
Sipas zyrtarëve libian, xhihadistët po përgatiten për sulme të ardhshme në kontinentin e vjetër.
Shteti Islamik, që kontrollon prej kohësh pjesë të tëra të Irakut e Sirisë, ka qenë mjaft aktiv muajt e fundit edhe në Libi, ku ka shfrytëzuar për depërtimin e tij luftën e ashpër për pushtet mes grupeve rivale, të krijuara në vend pas përmbysjes së Muammar Gaddafit.
Shtrirjen e tij në rajon e dëshmoi dhe sulmi i muajit Mars në kryeqytetin e Tunizisë, ku humbën jetën 22 vetë.
Të shtunën, megjithatë, ISIS e mori një goditje të fortë me vrasjen e një komandanti të lartë të tij, Abu Sayyaf, të cilin Uashingtoni e konsideronte të përfshirë në operacionet ushtarake dhe financiare të grupit islamik.
AMIR DURAKU
