Maqedoni
Kandidaturat për zgjedhjet lokale, VLEN-i në gusht publikon emrat
22.07.2025 13:54
Koalicioni VLEN ende në fazën e analizës sa i takon kandidatëve për kryetar të komunave....

Koalicioni VLEN ende në fazën e analizës sa i takon kandidatëve për kryetar të komunave. Zëdhënësi i koalicionit VLEN, Driton Sulejmani, thotë se me përfundimin e anketave do të japin dhe emrat.
“Ende jemi duke bërë anketat për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar komune. Me përfundimin e tyre do të komunikojmë emrat. Përpos mbështetjes së Mendi Qyrës në komunën e Strugës, komunat tjera ende po analizohen. Në pjesën e parë të gushtit mund të dalim edhe me emrat zyrtarë.”, thotë zëdhënësi i koalicionit VLEN, Driton Sulejmani.
Ndërkohë BDI tanimë ka zbuluar tre kandidatura për kryetar komune: Bujar Osmani në Çair, Bajram Rexhepi në Tetovë dhe Emir Sulejmani në Zhelinë. Integristët paralajmëruan rrumbullakimin e të gjitha emrave brenda katër ditësh.
VLEN: Osmani, 11 takime në Beograd, 0 në Kosovë
Kandidatura e Osmanit u kritikua nga VLEN-i, duke e cilësuar atë si funksionar proserb pa asnjë interes për Çairin.
“Bujar Osmani duket më i lumtur në mesin e diplomatëve serbë sesa me bashkëqytetarët e tij nga Çairi. Nuk ka ndihmuar askënd, nuk është gjetur pranë askujt në Çair, nuk i është përgjigjur askujt në telefon. Në Çair nuk ka ndihmuar për asnjë shkollë të re, nuk ka qenë i pranishëm kur ndërtoheshin rrugë e bulevarde, as kur bëheshin çerdhe e kënde lojërash. Bujarin e intereson vetëm karriera e tij, marrëdhëniet e mira me Beogradin dhe mundësia për të mbetur në politikë”, thuhet në reagimin e koalicionit VLEN.
BDI: VLEN-i sulmon diplomacinë më të suksesshme
Nga BDI thonë se VLEN po sulmon diplomacinë më të mirë që ka pasur vendi ndonjëherë.
“Raporti më i fundit i Parlamentit Evropian e veçon qartë punën e Ministrisë së Punëve të Jashtme gjatë mandatit të Bujar Osmanit. Prandaj, sulmet që vijnë nga një qeveri që i shërben botës serbe nuk e zbehin punën e Bujar Osmanit, përkundrazi janë kompliment dhe dëshmi e drejtësisë së rrugës së tij”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
Mickoski: Mbështetje të kandidatëve brenda koalicionit qeverisës
Kryeministri Hristijan Mickoski, i përmbajtur rreth kandidaturës së Osmanit. Ndërkohë rikonfirmon mbështetjen e ndërsjellë të kandidatëve brenda koalicionit qeverisës.
“Partnerët e koalicionit do të kenë lista të tyre për këshilltarë. Është logjike që në disa komuna, gjegjësisht në të gjitha komunat të mbështetemi me njëri tjetrin në pjesën e kryetarëve të komunave. Ky do të jetë një proces pozitiv që do të përfundojë në pjesën e dytë të gushtit. Sa i përket kandidaturës së Bujar Osmanit, nuk e di se çfarë mund të them. Mendoj se kjo është punë e brendshme e BDI-së. Nëse ata kanë vendosur ashtu, ky është vendimi i tyre.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
ASh-ja e Selës garon në 3 komuna, Taravari në 4
ASh-ja e Zijadin Selës do të masë forcat në Strugë, Dibër dhe në Haraçinë. Ndërkaq Arben Taravari do të nxjerrë kandidatë në komunat Gostivar, Vrapçisht, Tearcë dhe Saraj.
MERAL ISMAILI
