Maqedoni

Aliu në Tetovë: 155 punësimet në Spitalin e Tetovës, punë e kryer

22.07.2025 14:14

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, vizitoi Spitalin e Tetovës prej ku ka theksuar se është zgjidhur problemi me të punësuarit...

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, vizitoi Spitalin e Tetovës prej ku ka theksuar se është zgjidhur problemi me të punësuarit, të cilët me vite kanë punuar pa rroga dhe me kontrata në vepër. Sipas Aliut, të gjitha filtrat kanë kaluar, mbetet testimi administrativ që e përcakton ligji. Aliu e quajti të rrejshëm lajmin se Fondi Shëndetësor nuk ka dhënë pëlqim për punësim. Ai tha se me vite kanë abuzuar më këta të punësuar, ku të njëjtit kanë punuar edhe pa rroga.
 
“Ministria e Shëndetësisë sot thotë se 155 persona i kanë kaluar të gjitha filtrat, tani ka mbetur procesi i testimit të tyre. Të mbyllet një proces dhe të mundohet të zhbëhet lajm i rrejshëm, është jonjerëzore. Këta 155, që janë pas meje, të mund t’i abuzosh 10 vite dhe të vraposh ende t’i abuzosh kur ato e kanë të zgjedhur problemin, çfarë mund të them të paktën, është jonjerëzore. Këta persona 10 vite kanë qenë të shantazhuar, nuk e kanë zgjidhur problemin dhe sot kur vijmë këtu para juve e themi se problemi është zgjidhur. Këta persona me vite kanë punuar pa rrogë vetëm të jenë pjesë e institucionit që t’u ndihmojnë qytetarëve të Tetovës dhe të thuash se nuk është zgjidhur problemi, jo që është turp, por është jonjerëzore. Unë jam i sigurt që të gjithë këta kolegë që janë pas meje, me gjithë atë punë që e kanë pasur, me gjithë atë stres që e kanë kaluar, jo që do ta kalojnë testin, por do të shkojnë dhe do të dalin të lumtur për pyetjet që do të japin.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
 
Të angazhuarit me kontrata janë falënderues për zgjidhjen e çështjes së vendimeve
 
Të punësuarit thonë se ky hap i inkurajon edhe më shumë për punë, duke theksuar se ky është një hap i ri, që  me vite e kanë pritur.
 
“Ky hap i rëndësishëm institucional përbën jo vetëm një njohje të drejtë të angazhimit tonë, por edhe një fillim të ri drejt sigurimit të stabilitetit dhe të drejtave tona punëtore, me kalimin nga kontratat në vepër në kontrata të përhershme. Ky rezultat na inkurajon që të vazhdojmë me punën me përkushtim edhe më të madh, duke e parë këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt  ndërtimit të një sistemi shëndetësor më të drejtë dhe më të qëndrueshëm për  të gjithë.”, - u shpreh Fjolla Alija. 
 
Ministri Aliu, njëherësh paralajmëroi se shumë shpejt do të dalin me detaje për investimet në Spitalit e Tetovës, ku në fazën e parë pritet të investohet 40 milionë euro dhe në fazën e dytën 50 milionë euro.
 
VISAR SADIKI