Maqedoni

QMK: 7 zjarre aktive, zjarre edhe në Zhelinë dhe Likovë

22.07.2025 14:30

Natën e kaluar në mbarë vendin është intervenuar dhe janë shuar gjithsej 38 zjarre, bëjnë të ditur nga Qendra për Menaxhim me Kriza....

Natën e kaluar në mbarë vendin është intervenuar dhe janë shuar gjithsej 38 zjarre, bëjnë të ditur nga Qendra për Menaxhim me Kriza. Ndërsa gjatë ditës së sotme deri në orën 13:00 janë regjistruar 15 zjarre, prej të cilëve 7 janë aktiv, katër janë vënë nën kontroll, ndërsa katër janë shuar plotësisht. Zjarre aktive ka në komunën e Vasilevës, Radovishit, Makedonski Brodit, Prilepit, Zhelinës, Likovës dhe Demir Kapisë. 
 
“Zjarri në komunën e Zhelinës gjatë ditës së djeshme është riaktivizuar përsëri edhe atë ndërmjet fshatrave Cerovë dhe Grupçin, ku është kapluar një zonë malore. Në këtë zjarr, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka angazhuar dy automjete për përkrahje të forcave tokësore. Një zjarr i ri është regjistruar edhe në komunën e Likovës në fshatin Orizarë.”, - theksojnë nga QMK.
 
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se për shuarjen e zjarreve, përveç njësive territoriale zjarrfikëse janë angazhuar edhe ekipet e ndërmarrjes Pyjet Nacionale, mekanizmi i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, helikopterë të MPB-së, si dhe 60 pjesëtarë të Armatës. Ata njëherësh apelojnë te qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të mos shkaktojnë zjarre, si dhe të njoftojnë për çdo zjarr që mund ta vërejnë, që sa më parë të intervenohet. 
 
ARDITA RAMADANI