Ekonomi
Azeski: Pushteti të mos i fusë duart në sektorin privat
22.07.2025 14:44
Lufta kundër korrupsionit, barrierat e shumta gjatë marrjes së kredive...

Lufta kundër korrupsionit, barrierat e shumta gjatë marrjes së kredive, ndërhyrja e panevojshme e shtetit në sektorin privat dhe mungesa e transparencës nga institucionet, ishin disa nga çështjet kryesore që afaristët e Odës Ekonomike të Maqedonisë ia adresuan guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Slavevski.
“Jemi dëshmitarë se, përtej fjalëve të bukura, realiteti është që pushteti qendror dhe pushtetet e tjera në shtet shpesh dinë t’i fusin duart në punët e sektorit privat, edhe aty ku nuk duhet. Të gjithë betohen për transparencë, por transparencë nuk ka askund. Për shembull, nuk ka transparencë për ndihmën shtetërore ndaj investitorëve të huaj, për rezervat e mallrave apo për rezervat devizore.”, - deklaroi kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski.
Sllavevski: Rritja ekonomike, njëri nga qëllimet kryesore
Këto probleme të thella strukturore nuk janë vetëm shqetësime të përditshme për bizneset, por përfaqësojnë pengesat kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit. Për atë arsye, sipas Sllavevskit, vendi duhet të fokusohet tek rritja ekonomike, e cila është edhe njëra ndër qëllimet kryesore të Bankës Popullore
“Receta për rritje të shpejtë ekonomike, para së gjithash, janë faktorët afatgjatë si investimet, arsimi, investimet kapitale, investimet në ekonomi, fuqia punëtore dhe aftësitë. Ndonjëherë mund të arrihen përmes reformave që nuk kushtojnë para, por kërkojnë guxim dhe marrje të rrezikut, dhe sigurisht, duhet të kesh pak fat. Dy qëllimet primare të Bankës Popullore janë stabiliteti i çmimeve, i lidhur ngushtë me stabilitetin financiar dhe pa i komprometuar këto dy qëllime, të mbështesë rritjen ekonomike të shtetit.”, - theksoi guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllavevski.
Sa i përket rezervave devizore, Sllavevski njoftoi se ato janë rreth 4.7 miliardë euro, një shumë shumë e volitshme për ekonominë e vendit. Një pjesë e rezervave është edhe në ar, të cilat ruhen në Bankën e Anglisë, të cilën planifikon ta vizitojë për t’u siguruar se ari është aty ku duhet.
GAZMEND KURTISHI
