Rajon

Kosovë, javën e fundit janë regjistruar 320 zjarre

22.07.2025 15:01

Kosova po përballet me një situatë alarmante për shkak të zjarreve....

Kosova po përballet me një situatë alarmante për shkak të zjarreve. Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 320 raste zjarresh, dhe si pasojë janë shënuar dy viktima: një zjarrfikës nga Gjakova dhe një qytetar nga komuna e Klinës, bëjnë të ditur nga Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave dhe Policia e Kosovës. Një pjesë e zjarreve janë shkaktuar nga pakujdesia apo kanë qenë zjarrvënie të qëllimshme, thonë autoritetet. 
 
“Bashkëpunimi ndërinstitucional është në nivelin e duhur, por sfidë mbetet vetëdijesimi i qytetarëve. Kjo çështje nuk do të mbetet nën mëshirën e fatit, janë duke u ndërmarrë veprime të koordinuara për të parandaluar këtë dukuri të dëmshme që vë në rrezik jetën e qytetarëve, pasuritë publike dhe private.”, - deklaroi drejtori ekzekutiv i Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave, Genc Metaj. 
 
“Përveç ndihmës fizike, me prezencën tonë jemi duke bërë edhe hetime dhe ndjekje të veprave penale. Numri i përgjithshëm i zjarreve të raportuara nga fillimi deri tash është 183, numri i zjarrvënieve është 54, numri i personave të arrestuar është 9, numri i rasteve të iniciuara në polici është 63.”, - theksoi drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha. 
 
Aktualisht në Kosovë ka 7 zjarre aktive dhe siç thonë nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave po punohet në shuarjen e tyre.
 
GYLTENE SINANI