Maqedoni

Vendi po përballet me temperatura tropikale, IShP: Kujdes të shtuar për të sëmurët kronikë

22.07.2025 15:15

Vendi po përballet me temperatura jashtëzakonisht të larta, që arrijnë deri në 42 gradë celsius....

Vendi po përballet me temperatura jashtëzakonisht të larta, që arrijnë deri në 42 gradë celsius. Nga IShP rekomandojnë që nga ora 11:00 deri në ora 17:00 qytetarët të evitojnë daljet në ambiente të hapura, të konsumohen shumë lëngje dhe ushqim i lehtë, veshje me rroba me ngjyra të hapura dhe të mos përdoret alkool.
 
“Më shumë kujdes duhet të kenë grupet  e rrezikuara, sidomos të sëmurët kronikë, pacientët me sëmundje kardiovaskulare, të sëmurët nga mushkëritë dhe ata neurologjikë. Pacientët duhet ta marrin terapinë në kohë, të përmbahen në këshillat dhe rekomandimet e mjekëve, si dhe për çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore të paraqiten tek mjeku amë.”, - deklaroi Maria Andonovska nga IShP.
 
Qytetarë: Nuk kemi ujë të mjaftueshëm
 
Ekipet e Kryqit të Kuq janë në terren dhe u japin ndihmë qytetarëve sipas nevojave. Ata kanë intervenuar në 13 raste, 4 ekipe me 12 anëtarë.  
 
“Kryqi i Kuq i qytetit të Shkupit nga dita e hënë me 5 ekipe kanë patrulluar në stacionet e autobusëve më të frekuentuara. Bëhet fjalë për 15 vullnetarë dhe pjesë të ekipeve profesionale që ndihmojnë qytetarët. Ekipet e Kryqit të Kuq janë të pranishëm nga ora 11:00 deri në orën 16:00 dhe janë kryer 13 intervenime.”, - theksoi Argjent Cilafi nga Kryqi i Kuq. 
 
Në këto temperatura të larta një pjesë e qytetarë të kryeqendrës, që jetojnë në banesa në katet e larta, përballen me mungesë të ujit. 
 
“Rrjedh pak ujë, por nuk është i mjaftueshëm. Për herë të parë ndodh kjo.”, - tha një qytetar.
 
“Para pesë ditëve, 1 ditë e gjysmë nuk ka pasur fare ujë, ndërsa ditën e djeshme thuajse tërë ditën nuk ka pasur ujë.”, - tha një qytetar tjetër.
 
NP “Ujësjellësi”: Qytetarët ta përdorin ujin në mënyrë racionale
 
Nga ndërmarrja “Ujësjellësi dhe Kanalizimi“ apelojnë që qytetarët të përdorin ujin në mënyrë racionale. 
 
“Të mos përdoret uji për ujitjen e gjelbërimit, për mbushjen e baseneve,për larjen e veturave, të rrugëve, për kyçjen jolegale nga rrjeti ynë, sepse të gjitha këto detektohen si anomali që çojnë në zvogëlimin e presionit të ujit. Konsumi është përsëri rreth treqind e pesëdhjetë mijë metra kub ujë në ditë, që është afërsisht gjashtëqind e pesëdhjetë deri në shtatëqind litra për kokë qytetari, dhe më lejoni të përmend se normat evropiane janë rreth dyqind litra.”, - u shpreh Zoran Nedevski nga NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”.
 
Nga Enti Hidrometeorologjik njoftojnë se edhe gjatë ditëve në vijim moti do të jetë nën valën e të nxehtit tropikal që kalojnë mbi 40 gradë Celsius. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI