Kuvend, propozim-ribalanci para deputetëve

22.07.2025 15:44

Ribalanci i buxhetit për vitin 2025...

Ribalanci i buxhetit për vitin 2025, pasi kaloi filtrin në Komisionin për Financim dhe Buxhet, u gjend para deputetëve në seancë plenare.

Sipas ministres Gordana Dimitrieska-Koçoska, ribalanci mundëson qëndrueshmëri më të madhe ekonomike, më shumë investime në nivel qendror dhe lokal, si dhe mbështetje të sektorit privat për investime të reja.

“Ky ribalanc i konfirmon angazhimet tona për qëndrueshmëri ekonomike dhe menaxhim të përgjegjshëm me financat publike. Bruto Prodhimi Vendor në kuartalin e parë të vitit 2025 ka shënuar rritje prej 3.2 për qind. Bruto investimet janë rritur për 18 për qind, ndërsa eksporti pas shumë kohe shënon rritje prej 1.2 për qind, importi rritet 5.8 për qind. Tek shkalla e papunësisë e njëjta është ulur në 11.7 për qind, ndërsa shkalla e të punësuarve arrin në 46.3 për qind. Paga mesatare neto ka shënuar rritje prej 10.6 për qind. Deri në fund të vitit presim të kemi rritje ekonomike prej 3.7 për qind, ndërsa deficiti buxhetor do të jetë në shifrat e 41.3 miliardë denarë apo 4 për qind nga BPV.”, - deklaroi ministri i Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.

Por, për zëvendësin e Avokatit të Popullit, Ylber Rufati, ky ribalanc i buxhetit nuk i ka inkorporuar kërkesat e institucionit Avokat i Popullit.

“Me keqardhje mund të konstatoj se edhe në këtë ribalanc, nuk ka kurrfarë ndryshimesh, me qëllim që t’i mundësojë këtij institucioni të punojë pa ndërprerë. Nuk janë siguruar mjete, paga dhe kompensime në vlerë prej 13 milionë e 799 mijë denarë.”, - theksoi zëvendësavokati i Popullit, Ylber Rufati.

Nga ky ribalanc i buxhetit nuk ishin të kënaqur as nga LSDM. Sipas deputetes Sonja Llukarevska, jeta e qytetarëve me këto shtrenjtime po bëhet e papërballueshme.

“Një familje katër anëtarëshe që ta kalojë muajin, do t’i nevojiten plot 65 mijë denarë, ndërsa familjeve të cilat janë me qira do t’u duhet plot 80 mijë denarë. Ju, si shumicë, nuk morët parasysh kërkesën për rritjen e pagës minimale. Vet institucionet shtetërore, siç është EShS-ja tregon që produktet ushqimore kanë shënuar rritje enorme. Rritjen ekonomike e keni parashikuar në 3.7 për qind, që është i pamundur, ndërsa Banka Botërore parashikoi të kemi rritje ekonomike në vetëm 2.6 për qind. Borxhi i përgjithshëm arrin në 101 miliardë denarë.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Sonja Llukarevska.

Ky propozim-ribalanc i buxhetit nuk është i pranueshëm as për partinë E Majta, sipas së cilës, derisa shumica po na flet për rritje buxhetore, vendi çdo ditë po na zbrazet, sepse shumë të rinj po e lëshojnë vendin. (Fitim Kryeziu, TVM2)