Botë
Dënimi kapital ndaj Morsit, reagime të ashpra nga jashtë Egjiptit
17.05.2015 15:32
Shtetet e Bashkuara kanë reaguar duke u shprehur “thellësisht të shqetësuar” në lidhje me vendimin e një gjykate egjiptiane...

Shtetet e Bashkuara kanë reaguar duke u shprehur “thellësisht të shqetësuar” në lidhje me vendimin e një gjykate egjiptiane, e cila ka kërkuar dënimin me vdekje për ish-Presidentin Mohamed Morsi.
Reagimi ka ardhur përmes një zyrtari të Departamentit amerikan të Shtetit këtë të diel, vetëm një ditë pasi Presidenti i parë i zgjedhur demokratikisht i Egjiptit iu dha dënimi kapital për spiunazh dhe vrasjen e protestuesve.
“Jemi thellësisht të shqetësuar nga një tjetër vendim me vdekje për më shumë se 100 të akuzuar, përfshi ish-Presidentin Morsi. Kemi qenë gjithnjë kundër praktikës së gjykimeve masive dhe vendimeve masive, të cilat jepen në një mënyrë tërësisht në kundërshtim me angazhimet dhe detyrimet ndërkombëtare të Egjiptit, por edhe kundër sundimit të ligjit”, bëri të ditur zyrtari i DASH në kushtet e anonimitetit.
Kritikat e SHBA-ve vijnë pas dënimit të ashpër edhe nga “Amnesty International” dhe Presidenti turk, Tayyip Erdogan, teksa dënimi kapital ka prekur edhe 106 mbështetës të tij dhe “Vëllazërisë Muslimane” të drejtuar prej tij gjatë kohës që erdhi në pushtet.
Nga Jordania, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, shefi i diplomacisë gjermane, Frank-Valter Steinmeier u shpreh se Berlini e refuzon kategorikisht një formë të tillë ndëshkimi. Ai i nxiti autoritetet egjiptiane të veprojnë sipas ligjit, e jo sipas standardeve politike.
I ashpër ka qenë edhe reagimi i Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, që tha se Egjipti po i rikthehet lashtësisë, ndërsa akuzoi Perëndimin se mbylli njërin sy përballë përmbysjes me forcë të Morsit nga ushtria në 2013-n. “Amnesty International”, nga ana tjetër e përshkroi vendimin e gjykatës si një shpërfillje të hapur ndaj të drejtave të njeriut.
Vendimi ndaj Morsit nuk është i vendimit të prerë, pasi një i tillë pritet të merret më 2 Qershor. Kjo, pasi të gjitha vendimet me vdekje iu referohen më pas autoritetit më të lartë fetar të Egjiptit, Myftiut të Madh, për një mendim jodetyrues, ndërsa janë gjithashtu edhe subjekt i apelimeve ligjore.
SANIJE KASAMI
