OBSh-ja dënon sulmet izraelite në objektin e saj në Gazë

22.07.2025 15:55

Organizata Botërore e Shëndetësisë...

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka akuzuar forcat izraelite për sulm në një ndërtesë, ku është strehuar stafi i saj dhe familjet e tyre në qytetin Deir al-Balah në Gazë.

Sulmet ajrore shkaktuan zjarr dhe dëme të mëdha, si dhe vunë në rrezik personelin dhe familjet e tyre, përfshirë fëmijët, thonë nga OBSh-ja, e cila është ankuar edhe për keqtrajtimin e njerëzve që kanë qenë në ato hapësira.

Po ashtu Programi Botëror për Ushqim i Kombeve të Bashkuara paralajmëron se kriza e urisë në Gazë ka arritur nivele tronditëse.

“Kriza e urisë në Gazë ka arritur nivele të reja tronditëse të dëshpërimit. Po shohim rritje të kequshqyerjes së rëndë. Më shumë se 100 mijë gra dhe fëmijë kanë nevojë për trajtim sa më shpejt që të jetë e mundur.”, - deklaroi drejtori i Programit Botëror për Ushqim, Ros Smit.   

Po rritet edhe numri i viktimave pranë pikave humanitare.

“Pashë njerëz që po vdisnin, të shtrirë pa lëvizur në tokë. Nuk kishte autoambulanca dhe askush nuk mund të ndihmonte. Granatimet ishin të rastësishme, nga tanke, anije luftarake dhe snajperë. Qëllohej nga të gjitha drejtimet.”, - u shpreh një banor i Gazës.

“U përpoqa të arrija te kamioni dhe kapa një thes mielli. Papritur, më goditën në kokë dhe humba ndjenjat. Vëllai më solli këtu. Ajo që po ndodh atje është masakër. Të rinjtë po vdesin për ushqim.”, - tha një banor tjetër i Gazës.

“Zona ku i nxorëm të plagosurit ishte jashtëzakonisht e rrezikshme. Aty pranë kishte tanke që granatonin dhe rrugët ishin të shkatërruara. Kjo e pamundësonte lëvizjen e autoambulancave. Numri i të vdekurve dhe të plagosurve ishte i madh.”, - theksoi ndihmës mjeku, Jusef Al-Dalu.

Nga Fondacioni Humanitar “Gaza”, i regjistruar në ShBA dhe i mbështetur nga Izraeli, mohojnë se kanë ndodhur incidente fatale afër pikave të tyre të ndihmës.

Ata pretendojnë se incidentet më të dhunshme me numrin më të madh të viktimave janë të lidhura me OKB-në dhe konvoje të tjera humanitare.

“E dënojmë vazhdimisht dhunën ndaj atyre që kërkojnë ndihmë dhe po punojmë për të përmirësuar kanalet për shpërndarje direkte në komunitete. Do t’ju ftoja që t’i trajtoni me skepticizëm informacionet e Hamasit për numrin e viktimave. Ka shumë dëshmi që tregojnë se të dhënat e tyre janë të pasigurta.”, - deklaroi zëdhënësi i Fondacionit Humanitar “Gaza”, Çapin Fej.

Të dielën, ushtria izraelite ka urdhëruar evakuim të menjëhershëm të gjashtë blloqeve në jug të Deir al-Balahut, me paralajmërimin se do të operojë “me forcë të madhe për t’i shkatërruar kapacitetet e armikut dhe infrastrukturën terroriste”.

Vlerësohet se 50 mijë deri në 80 mijë njerëz që kanë jetuar në zonat e prekura, janë urdhëruar që të shkojnë në jug të Gazës.

Zyra e OKB-së për çështje humanitare ka thënë se stafi i OKB-së do të vazhdojë të qëndrojë në Deir al-Balah, pavarësisht urdhrit për evakuim. Sipas kësaj organizate, rreth 87 për qind e Gazës tani është e përfshirë nga urdhrat izraelite për evakuime, duke i detyruar 2.1 milionë njerëz që të ngjeshen në një territor prej 46 kilometrash katrorë, ku mungojnë edhe gjërat më elementare.

Burimet izraelite kanë thënë se prezenca e mundshme e pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi është arsyeja pse Deir al-Balah nuk është shënjestruar deri më tani nga ndonjë ofensivë tokësore.

Të paktën 20 deri në 50 pengje që janë ende në mbajtje, besohet se janë gjallë. Familjet e pengjeve janë shprehur të shqetësuara, duke thënë se ofensiva mund t’i rrezikojë ata.

Izraeli e ka nisur fushatën ushtarake në Gazë si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, si pasojë e të cilit ishin vrarë 1.200 izraelitë dhe janë marrë peng rreth 240 të tjerë.

Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, që nga fillimi i kësaj ofensive deri më tani janë vrarë mbi 59.000 palestinezë. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)