"E Majta" me iniciativë në Kuvend, të shkarkohet kryetarja e Antikorrupsionit

22.07.2025 16:14

Grupi parlamentar i së Majtës ka dorëzuar iniciativë..

Grupi parlamentar i së Majtës ka dorëzuar iniciativë për shkarkimin e kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska, pasi ajo u akuzua për zbulim të sekretit zyrtar dhe falsifikim të një certifikate sigurie.

E Majta kërkon që Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime t’i paraqesë Kuvendit një konkluzion për shkarkimin e Dimitrovskës, pasi siç thonë, sipas nenit 11 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave,  ajo nuk i plotëson kushtet për të qenë kryetare.

"Iniciojmë që Komisioni për Çështjet e Zgjedhjeve dhe Emërimeve të fillojë procedurën për të përcaktuar nëse Tatjana Dimitrovska i plotëson kushtet për ushtrimin e funksionit të kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, pas së cilës do të miratohet një konkluzion me të cilin do të konstatohet se kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska, nuk i plotëson kushtet për të qenë kryetare sipas nenit 11 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave, për shkak të masës së shqiptuar për ndalim të kryerjes së disa detyrave të punës dhe do të miratohet një propozim për shkarkimin e saj nga funksioni.", thuhet në iniciativën e partisë E Majta.

Deputetja e kësaj partie, Jovana Mojsoska, theksoi se Tatjana Dimitrovskës i është shqiptuar masë ndalimi i ushtrimit të profesionit, prandaj sipas ligjit ekziston bazë për shkarkimin e saj nga posti i kryetares së komisionit Antikorrupsion.

“Nuk është e vërtetë që nevojitet vetëm një vendim gjyqësor, pasi që ligji për parandalimin e korrupsionit, neni 14, e parashikon shprehimisht që kryetarja e komisionit Antikorrupsion mund të shkarkohet nëse nuk vlejnë më kushtet e përcaktuara në nenin 11. Në nenin 11 janë ato kushte që kryetarja e komisionit Antikorrupsion duhet t’i plotësojë për t’u bërë kryetare e komisionit Antikorrupsion. Një nga kushtet e nenit 11 është që të mos i jetë shqiptuar masa e ndalimit të ushtrimit të profesionit. Aktualisht, kryetares së komisionit Antikorrupsion, Tatjana Dimitrovska, i është shqiptuar masa e ndalimit të ushtrimit të profesionit. Ajo tashmë prej më shumë se dy muajsh nuk shkon në punë dhe pikërisht këtu ne e gjejmë bazën ligjore në këtë rast që ta paraqesim nismën tonë te Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime.”, - theksoi deputetja e së Majtës, Jovana Mojsoska.

E Majta është e vetmja parti, deputetët e së cilës paraqitën nismë për shkarkimin e Tatjana Dimitrovskës.

Nga LSDM thanë se sapo t’u dorëzohet kjo iniciativë do të dalin me qëndrimin e tyre për këtë çështje.

VMRO-DPMNE u distancua nga marrja e përgjegjësisë për të ndërmarrë hapa të tillë në Kuvend.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka deklaruar se pa një vendim gjyqësor të formës së prerë nuk ka kushte ligjore për shkarkim dhe ka sqaruar se vetëm Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime është kompetent për këtë çështje, ndërsa çdo vendim do të dërgohet për miratim në seancë plenare. (Armend Murseli, TVM2)