Rajon

Disa zjarre aktive në Shqipëri, arrin ndihma nga vendet fqinje dhe BE-ja

22.07.2025 16:31

Zjarri në Dukat të Vlorës nuk ndalet....

Zjarri në Dukat të Vlorës nuk ndalet. Flakët e ndihmuara nga era kanë përfshirë kodrat me shkurre dhe pisha dhe po i afrohen Parkut Kombëtar të Llogarës dhe banesave. Terreni i vështirë, era dhe nxehtësia e madhe e kanë bërë thuajse të pamundur ndërhyrjen nga toka. Operacioni duket mjaft i vështirë në një kohë kur zjarrfikësit punojnë me mjete rrethanore dhe kova uji. Zjarrfikësi Luan Kapaj, pasi la spitalin, sot gjendet në krye të ekipit.
 
“Sot përballemi me një situatë të vështirë. Zjarri po afrohet shumë pranë banesave. Po bëjmë të pamundurën për të ndaluar përhapjen drejt parkut.”, - theksoi zjarrfikësi, Luan Kapaj.
 
Në ndihmë kanë mbërritur dy avionë nga Greqia, si dhe helikopteri i Forcave të Armatosura Shqiptare. Beteja me flakët po zhvillohet dhe në veri të Shqipërisë, ku po digjet Parku Kombëtar i  Lurës, si dhe masivet pyjore në Shkopet e Ulëz. Sot nga Italia mbërriti një avion, Canadair, i cili po punon për shuarjen e flakëve në qarkun e Dibrës.
 
Në të gjithë territorin shqiptar janë aktive 9 vatra zjarri, ndërsa janë djegur më shumë se 32 hektarë me pyje. Çdo orë është vendimtare për të shpëtuar çfarë ka mbetur.
 
Përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, BE-ja ka sjellë flotën e saj. Tre avionë Canadair gjenden ne operacion, ndërsa thekson se është e gatshme të ofrojmë më shumë mbështetje, nëse do të jetë e nevojshme.
 
LULJETA NDOKA