Maqedoni

Gashi: Data e zgjedhjeve në 10 ditëshin e parë të gushtit

22.07.2025 18:23

Gasgi bëri të ditur se data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale do të shpallet në 10 ditëshin e pare të gushtit. ...

Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi ka vizituar sot Tetovën, në vazhdën e vizitave nëpër komuna dhe hapjen e zyrave të deputetëve për kontakt me qytetarët. Ai me këtë rast bëri të ditur se data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale do të shpallet në 10 ditëshin e pare të gushtit. 
 
“Dhjetë ditëshi i parë i gushtit do të jetë një prej ditëve kur pritet të shpallim zgjedhjet. Besoj që do të shohim edhe pak dinamikën e sjelljes të ligjeve në Kuvend. Nëse ka ligje që janë me rëndësi, do të mundohemi të punojmë sa më gjatë dhe t’i shpallim zgjedhjet që të arrimë afatet ligjore, në mënyrë që shpallja e zgjedhjeve të mos pengojë proceset e tjera, si në Kuvend, ashtu edhe në organet e tjera të administratës shtetërore.”, u shpreh kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
 
Kasami: Suksese kundër kandidatit Rexhepi, vendos populli
 
Ndërkohë nikoqiri i këtij takimi, Bilall Kasami, i pyetur për kandidaturën e kandidatit të Frontit Evropian për kryetar të Tetovës Bajram Rexhepi, ka thënë se ai nuk e ka garën me Rexhepin por me përgjegjësitë dhe realizimin e projekteve. 
 
“I urojmë sukses kundërkandidatit, është vendimi i tyre. Ne nuk e kemi garën me Bajram Rexhepin, gara jonë është me përgjegjësitë që i kemi marrë, dhe nëse kto përgjegjësi do të më jepen edhe një herë nga Koalicioni VLEN, ne do të vazhdojmë të punojmë në drejtim të realizimit të atyre projekteve. Ajo që është vendim i Koalicionit është të shkojmë me kandidatë që kanë përkrahjen e qytetarëve. Në këtë frymë është edhe përkrahja jonë për kandidatin e pavarur në Strugë, por edhe kandidatët që do të dalin në emër të Koalicionit VLEN do të jenë kandidatë të këtij koalicioni, pa pasur – do të thosha – prapashtesën e subjektit politik të ciltë janë pjesë të VLEN-it. Sigurisht që ata kandidatë mund të vijnë me një prapavijë nga ndonjë nga subjektet politike që përbëjnë VLEN-in, ose edhe të jenë figura të reja. Por ju garantoj se në pjesën më të madhe të komunave, kandidatët do të jenë figura që nuk kanë qenë drejtpërdrejtë në strukturat e larta drejtuese të ndonjërit prej subjekteve politike që përbëjnë Koalicionin VLEN.”, u shpreh kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.