ASh: Diskriminim ndaj institucioneve arsimore shqiptare
Qeveria bashkë me ministrin e Arsimit po godet arsimin shqip...

Qeveria bashkë me ministrin e Arsimit po godet arsimin shqip, zero investime në universitet dhe shkollat shqiptare. Kështu kanë deklaruar sot në një pres konferencë nga Aleanca për Shqiptarët - krahu i Arben Taravarit.
“Diskriminim i hapur ndaj universiteteve dhe shkollave shqiptare në projektet e ndara nga MASh-i. Në konkursin e projekteve kërkimore shkencore, me interes të veçantë shkencor e publik janë ndarë gjithsej 30.4 milionë denarë dhe atë katër projekte Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, një Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip, zero për Universitetin “Nënë Tereza”, zero për Universitetin e Tetovës. Shtatë institute maqedonase kanë fituar projekte dhe vetëm një projekt për Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.”, - deklaroi Belinda Amiti nga ASh – krahu i Taravarit.
Sipas saj, asnjë projekt ndërtimi i objekteve arsimore nuk është financuar në komunat shqiptare, ndonëse ato përballen me mungesë infrastrukture themelore.
“Në kuadër të projekteve infrastrukturore në bashkëpunim mes Qeverisë dhe bashkëqeverisjes lokale, gjithsej janë ndarë 135 milionë denarë, të cilat janë paraparë për projekte të shkollave të reja, salla sportive, si dhe pishina për tre komuna: në Manastir, Kisella Vodë dhe Vallandovë dhe asnjë komunë shqiptare nuk është përmendur në këto projekte të Ministrisë së Arsimit.”, - u shpreh Belinda Amiti nga ASh – krahu i Taravarit.
Aleanca për Shqiptarët kërkon financim të barabartë për të gjitha universitetet publike; përfshirje të komunitetit akademik shqiptar në çdo reformë dhe krijimin e një Komisioni të Pavarur për mbikëqyrjen e përdorimit të IA-së në shkolla.
“Arsimi nuk është terren për eksperimente politike apo teknologjike. Është themeli i së ardhmes sonë dhe duhet të trajtohet me drejtësi, dinjitet dhe vizion.”, thotë Amiti. (Visar Sadiki, TVM2)
