‘Përplaset’ blloku shqiptar, BDI: Qeveria, retorikë proruse dhe hungareze
Ardhmëria e vendit dhe ndikimi eventual i rrymave ruse...

Ardhmëria e vendit dhe ndikimi eventual i rrymave ruse kanë përplasur partitë shqiptare pushtet - opozitë duke akuzuar qeverinë e tashmen dhe qeverinë e kaluar për largimin e vendit nga kursi evropian.
BDI akuzon ekzekutivin se po promovon retorikë dhe veprime me ngjyrime proruse dhe prohungareze, duke lënë nën hije lidhjet me partnerët strategjikë të vendit dhe duke komprometuar pozicionin e vendit në procesin integrues.
“Ndërkohë që flitet për “marrëdhënie të veçanta ekonomike” me Hungarinë dhe për ndërtimin e një “regjioni të përbashkët” me Serbinë, qëllimisht heshtet për korridorin 8, një projekt strategjik që e lidh Maqedoninë me Shqipërinë dhe Bullgarinë, dy shtete anëtare të NATO-s dhe të BE-së. Në të njëjtën kohë, prioritet i jepet korridorit 10, që e shtyn vendin drejt një boshti të padeklaruar lindor, i huaj për vlerat evropiane dhe për interesat afatgjata të qytetarëve tanë.”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
VLEN: Përse Osmani takoi funksionarë serbë!?
Nga koalicioni VLEN thonë se BDI nuk mund të paraqitet si mbrojtëse e kursit euroatlantik të shtetit, pasi ka shumë pyetje të papërgjigjura për sa i përket 11 takimeve të realizuara të Bujar Osmanit me shefin e diplomacisë serbe, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë iniciativë zyrtare me Kosovën. Nga VLEN-i kundërpërgjigjen edhe për autostradat.
“BDI mori pjesë në ndërtimin e autostradave nga Tabanovca drejt Gjevgjelisë, ndërkohë që nuk ndërtoi as edhe një kilometër autostradë në korridorin 8. BDI nuk tregon, madje shmang pyetjen se në sa dreka, darka dhe “shëtitje miqësore” kanë marrë pjesë personalisht Ahmeti dhe Osmani me presidentin serb Vuçiq? BDI nuk ka sqaruar për sa herë Osmani është takuar me ambasadorin serb në Shkup dhe përse nuk e ka informuar publikun për këto takime?”, thonë nga koalicioni VLEN.
VLEN-i akuzon BDI-në se shtyu përpara iniciativën “Ballkani i Hapur” si formë integrimi me Serbinë, duke anashkaluar bashkëpunimin me Kosovën. Gjithashtu sipas VLEN-it, BDI hapi korsinë e shpejtë në kufirin me Serbinë, por nuk bëri asnjë përpjekje për të përmirësuar infrastrukturën në pikat kufitare me Kosovën, si në Bllacë dhe Jazhincë apo me Shqipërinë në Qafë Thanë. (Meral Ismaili, TVM2)
