Vendi i kapluar nga temperaturat tropikale, Qeveria liron nga puna kategoritë e rrezikuara

23.07.2025 14:21

Vendi ynë është kapluar nga vala tropikale e të nxehtit...

Vendi ynë është kapluar nga vala tropikale e të nxehtit, ku temperaturat janë mbi 40 gradë Celsius. Për këtë arsye, Qeveria ka miratuar një paketë rekomandimesh që do të jenë në fuqi nga data 23 deri më 26 korrik 2025.

Rekomandohet që të lirohen nga puna gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç. Sipas njoftimit të Qeverisë, rekomandimet përfshijnë gjithashtu mundësinë për punë në distancë, orar fleksibil ose të ndarë në dy ndërrime, aty ku është e mundur.

Nga Enti Hidrometerologjik informojnë se vala e të nxehtit do të vazhdojë deri të dielën, ku më pas pritet të ndryshojë moti me uljen e temperaturave.

“Temperaturat janë të larta që në vendin tonë për muajin korrik janë mbi mesataren. Nxehtë i madh do të jetë edhe gjatë ditës së premte dhe të shtunë dhe pritet që temperaturat të arrijnë deri në 43 gradë Celsius. Temperaturat më të larta janë në rajonin e Vardarit, ndërsa gjatë ditës së djeshme në Veles dhe Kavadar temperaturat kishin arritur në 43 gradë Celsius.”, - deklaroi Juliana Miskoska nga Enti Hidrometeorologjik.

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Mediave u bën thirrje pronarëve, menaxherëve dhe redaktorëve të mediave, që të respektojnë masat e Qeverisë dhe të mos dërgojnë ekipet e tyre në terren, nëse nuk u  krijojnë  kushte për të mbrojtur kolegët e tyre nga vala e të nxehtit.

"Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve të mediave u bën thirrje aktorëve politikë dhe shoqërorë që të shmangin ngjarjet dhe fjalimet në natyrë, si dhe ngjarjet që kërkojnë një qëndrim më të gjatë në një zonë ku temperaturat janë të larta. Ne sugjerojmë që ngjarjet e planifikuara më parë të rishikohen, të reduktohen ose të zhvendosen në vende ku ka kushte për ekipet mediatike për të punuar. SPGM kërkon që, nëse duhet të raportojnë drejtpërdrejt, gazetarët dhe punonjësit e medias të jenë të pajisur në mënyrë të përshtatshme nga media e tyre, t'u sigurohet transporti dhe të ofrohen pije freskuese, të gjitha në mënyrë që të shmangen situatat në të cilat shëndeti i atyre që raportojnë do të rrezikohet.", thuhet në kumtesën e Sindikatës së Gazetarëve.

Për shkak të temperaturave të larta, nga Ndihma e Shpejtë thonë se është rritur numri i thirrjeve që kërkojnë ndihmë mjekësore. Njëherësh këshillojnë që personat mbi 60 vjeç dhe të sëmurët kronikë t’u përmbahen masave të Qeverisë, duke evituar daljet nga ora 11:00 deri në orën 17:00. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)