Maqedoni
RMV dhe Greqia theksojnë bashkëpunimin për integrimin evropian
23.07.2025 14:53
Në vizitën e parë zyrtare në Athinë, ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti, Timço Mucunski, me homologun e tij grek, Jorgos Gerapatritis...

Në vizitën e parë zyrtare në Athinë, ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti, Timço Mucunski, me homologun e tij grek, Jorgos Gerapatritis, nënvizuan përkushtimin e dyanshëm për fusha të caktuara, në veçanti aspektin e integrimit evropian, sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe ndërtimit të raporteve të mira ndërfqinjësore si nevojë imediate në kohë krizash dhe luftërash gjeopolitike. Mucunski nga Athina potencon nevojën e ngritjes së bashkëpunimit në kuadër të NATO-s për sigurinë e stabilitetit rajonal, gjegjësisht dhe përkrahjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën eurointegruese.
“Kemi vërtetuar përkushtimin tonë në kuadër të NATO-s dhe nevojën e bashkëpunimit më të afërt në këtë kohë pasigurish dhe se nevoja për përkrahjen e Ukrainës duhet të vazhdojë. Përfundimisht nënvizuam rëndësinë e së drejtës ndërkombëtare dhe obligimet mes dy vendeve tona, pasi që me respektimin e këtyre obligimeve ndërtohet bashkëpunimi në periudhë afatgjate. Besoj fuqishëm për raportin tonë në aspektin diplomatik për ndërtimin e së ardhmes edhe për gjeneratat e ardhshme.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.
Shefi i diplomacisë greke, Jorgos Gerapatritis, theksoi përkrahjen e Greqisë ndër vite për RMV-në, për mbështetjen e anëtarësimit në NATO dhe agjendën e Selanikut të vitit 2003 për përshpejtimin e procesit eurointegrues të Ballkanit Perëndimor.
“Do të vazhdojmë të përkrahim perspektivën evropiane të rajonit për konsolidimin e stabilitetit rajonal dhe promovimin e bashkëpunimit dhe prosperitetit. Greqia e përkrah përparimin e RMV-së në rrugën eurointegruese të bazuar në principe. Në këtë aspekt dua të theksoj rëndësinë e veçantë të konsistencës dhe implementimit me dëshirë të Marrëveshjes së Prespës dhe veçanërisht përdorimin e emrit Erga-Omnes në emrin kushtetues. Greqia dhe RMV-ja kanë bashkëpunim të fuqishëm në shumë fusha: ekonomi, tregti, investime dhe në projektet për ndërlidhjet infrastrukturore dhe energjetike.”, - theksoi ministri i Punëve të Greqisë, Jorgos Gerapatritis.
Diplomatët e dy vendeve theksuan përkushtimin që dy shtete po i avancojnë në aspektin ekonomik, duke iu dhënë prioritet investimeve, tregtisë, projekteve infrastrukturore dhe infrastrukturës energjetike, korridorit 10 dhe interkonjektuesit për gaz natyror, që do t’i mundësojë rajonit pavarësim në sektorin energjetik.
GAZMEND REXHEPI
