Maqedoni

Shtyhet gjykimi për grupin “Bellanoca – Baron”, munguan avokatët e tre të pandehurve

23.07.2025 15:10

Filloi, por menjëherë u shty seanca gjyqësore për grupin e quajtur “Bellanoca - Baron”...

Filloi, por menjëherë u shty seanca gjyqësore për grupin e quajtur “Bellanoca - Baron”, për shkak të mungesës së tre avokatëve e të pandehurve në këtë rast. Gjykatësja, e cila në fillim lexoi aktakuzën e ngritur ndaj dy grupeve për tetë vrasje të kryera, sqaroi se njëri prej avokatëve është duke e shfrytëzuar pushimin veror, i dyti nuk ka arritur të vijë për shkak të gjendjes shëndetësore, ndërsa i treti fare nuk kishte dorëzuar njoftim për mungesës së tij, e cila pengoi gjykimi të fillojë në kohë. Po ashtu në gjykatë u sqarua se deri në këto momente, jo të gjithë avokatët e të pandehurve, kanë dorëzuar listat e tyre të provave.
 
Gjithsej nëntë persona janë ulur në bankën e të akuzuarve, përfshirë edhe udhëheqësin e dyshuar të klanit nga ana e Prokurorisë, Fatlum Ajeti-Tote dhe Akiv Rahmanovski. Avokatët e tyre dorëzuan provat e tyre, ku pretendojnë se ata nuk janë të përfshirë në veprat penale, siç pretendon Prokuroria për Krim të Organizuar. 
 
Sipas aktakuzës, grupi akuzohet se ka organizuar tetë vrasje, përfshirë vrasjen e dyfishtë në “Shisha Bar”, në të cilën humbën jetën dy anëtarë të klanit “Duqanxhik” nga fshati Gërçec i Shkupit,  grup i cili konsiderohet si rival i “Bellanoca - Baron” në botën e krimit në kryeqytet. Përveç vrasjeve, të pandehurit akuzohen edhe për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, siç janë: kërcënime, zjarrvënie të automjeteve, trafikim droge dhe kontrabandë armësh.
 
Nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, sqaruan se gjatë procedurës parahetimore janë përdorur masa të posaçme hetimore ndaj të akuzarve, duke përfshirë edhe ndjekjen e komunikimeve mes anëtarëve të grupeve, të cilat, sipas Prokurorisë, kanë ndihmuar për ta zbuluar lidhshmërinë e personave tani më të akuzuar për vrasjet e kryera. Seanca e radhës është caktuar më 15 gusht.
 
REXHEP QAMILI