Maqedoni
Perinski fton komunat: Të nisë realizimi i projekteve nga kredia hungareze
23.07.2025 15:19
Komunat duhet të bëjnë ndryshime në buxhete dhe në planet e furnizimeve publike...

Komunat duhet të bëjnë ndryshime në buxhete dhe në planet e furnizimeve publike, në mënyrë që të mund të fillojnë procedurat për përzgjedhjen e kompanive, që do të realizojnë projektet e financuara përmes thirrjes së dytë të kredisë hungareze. Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, e theksoi këtë gjatë vizitës në fillimin e rikonstruksionit të shkollës në fshatin Radajë, komuna e Karbincit.
“Kemi projekte që janë në nivel nën një milion denarë, por kemi edhe projekte që janë diku mbi 150 milionë denarë dhe dinamika e kryerjes së punëve vërtet varet nga përmasat e projektit. Unë pres dhe është edhe në interes të qytetarëve dhe vetë kryetarëve të komunave, që dinamika nga thirrja e dytë publike të realizohet në mënyrë përkatëse, njësoj siç po realizohet zbatimi i mjeteve nga thirrja e parë publike.”, - deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski.
Lidhur me ecurinë e projekteve nga thirrja e parë, Perinski bëri të ditur se më shumë se gjysma e tyre janë realizuar tashmë, ndërsa vetëm një projekt ka mbetur i patenderuar, pasi komuna përkatëse pret fondet e thirrjes së dytë për ta shpallur në mënyrë të përbashkët. Investimet e financuara nga kredia hungareze kapin vlerën mbi 19 miliardë denarë dhe përfshijnë gjithsej 1.116 projekte. Prej tyre, 828 janë pjesë e thirrjes së dytë publike, me kontrata të nënshkruara më 17 korrik. Shumica e projekteve apo saktësisht 589 projekte lidhen me transportin e për to janë planifikuar mbi 8 miliardë denarë. 143 i takojnë Mjedisit Jetësor me 2.4 miliardë denarë dhe 48 Arsimit me 1.6 miliardë denarë. Fonde janë parashikuar gjithashtu për Kulturën, Sportin dhe Politikën Sociale. Sipas Perinskit, këto investime do ta përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve dhe do të nxisin një zhvillim më të ekuilibruar lokal.
ABIBE QAILI
