Maqedoni
“Bashkëpunëtori i ri” shkon në histori, Qeveria premton avancim të administratorëve
23.07.2025 15:30
Në kuadër të reformës së administratës publike, Qeveria ka marrë vendim që të shfuqizohen titujt “bashkëpunëtor i ri” dhe “referent i ri”...

Në kuadër të reformës së administratës publike, Qeveria ka marrë vendim që të shfuqizohen titujt “bashkëpunëtor i ri” dhe “referent i ri”, njoftoi zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetuahu, i cili tha se me këtë vendim do t’u kthehet dinjiteti nëpunësve administrativë.
“Me VLEN-im nuk ka më “bashkëpunëtor të rinj”, nuk ka më “referent të rinj”. Duke filluar nga 1 janar 2026 të gjithë të punësuarit me titullin “bashkëpunëtor i ri” do të avancohen në mënyrë automatike në gradën bashkëpunëtor, të punësuarit me titullin “bashkëpunëtor” në anën tjetër do të bëhen “bashkëpunëtor profesional”. Ata me arsim të mesëm, që ende mbajnë titullin “referent i ri” do të avancohen me gradën “referent i lartë”, ndërsa titulli “referent i lartë” do të zëvendësohet me “referent i pavarur”. Të gjitha këto ndodhin në mënyrë automatike, me fuqinë e ligjit, pa procedura shtesë.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetahu.
I pyetur se deri ku është ligji për përfaqësim adekuat, Fetahu u përgjigj:
“Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në fazë të projektligjit është miratuar më 1 dhjetorin e Qeverisë VLEN, i njëjti bashkë me pyetje përcjellëse është dërguar tashmë në Komisionin e Venedikut dhe këtë javë kemi marrë informatë kthyese nga Komisioni i Venedikut se do të ketë një mision vlerësues, ku sipas praktikës së tyre, ata do të vijnë në Shkup gjatë muajit shtator për të intervistuar palët në këtë proces dhe për të dhënë mendimin e tyre rreth projektligjit në fjalë.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetahu.
Fetahu shtoi se Qeveria do të vazhdojë maksimalisht për fuqizimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe për barazinë e plotë në administratën publike dhe në pozitat kyçe.
ARMEND MURSELI
