Maqedoni
Zjarret në RMV, 11 zjarre në ambiente të hapura, 5 janë aktive
23.07.2025 15:55
Zjarret në të gjithë territorin e vendit vazhdojnë të kërcënojnë vendbanimet, duke përfaqësuar vështirësi edhe në menaxhimin e tyre...

Zjarret në të gjithë territorin e vendit vazhdojnë të kërcënojnë vendbanimet, duke përfaqësuar vështirësi edhe në menaxhimin e tyre. Nga QMK, sipas përditësimeve dhe statistikave të fundit, thonë që në territorin e shtetit janë evidentuar gjithsej 11 zjarre në ambiente të hapura, prej të cilave 5 janë aktive, 2 janë nën kontroll dhe 4 janë të shuara.
“Zjarri është ende aktiv pranë komunës së Vasilevës, i cili në dy ditët e fundit është përhapur në komunat e Radovishit dhe Berovës pranë fshatit Niviçino respektivisht në malin Goten i Madh, ku digjen pyje të ulëta, shkurre dhe bimësi e ulët.”, u shpreh Nadica Vçkov nga QMK.
Zjarre nën kontroll konfirmohen në komunën e Prilepit ndërmjet fshatit Careviq dhe fshatit Smollanë, si dhe në komunën e Brodit, fshati Latovë. Ndërsa si zjarre të shuara, sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave, kemi në komunën e Manastirit, në fshatin Lagovë dhe komunën e Demir Kapisë, afër tuneleve të autostradës. Po ashtu, zjarre të shuara evidentohen edhe në komunën e Kumanovës, në lagjen Sredorek dhe në komunën e Dibrës, në fshatin Rajçicë.
Duke vijuar nga dëshmitë që u gjetën dje pasdite nën Carev Vërv, në malet e Osogovës, për tentim ndezje zjarri me anë të gomave të grumbulluara nga makinat, Stojançe Angellovi doli me deklaratën dhe apelin për të lajmëruar çdo vepër, dëshmi apo sjellje dyshuese që do të shkaktonte zjarr me qëllim.
“Apelojmë te të gjithë qytetarët, derisa vërejnë ndonjë sjellje të dyshimtë që do të konfirmonte se bëhet fjalë për tentim për ndezje zjarri jashtë vendeve të banuara, me mjete si goma, dërrasa, shishe plastike apo lëndë djegëse, që i ngjajnë benzinës, të lajmërojnë urgjentisht në numrin 112 ose në stacionin më të afërt policor apo edhe çdo organ tjetër të sigurisë.”, - deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.
Në territorin e Shkupit, zjarri më i fundit është shkaktuar në Vizbeg dhe bëhet fjalë sërish për djegie të deponisë, ndërsa nga Qendra për Menaxhimin e Krizave informojnë se veç më ka zjarrfikës në vendngjarje.
ASDREN ÇELIKU
