Rajon

Kuvendi i Kosovës, 51 herë dështoi seanca konstituive

23.07.2025 16:03

Meqë nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin edhe pas 51 vazhdimesh dhe në rrethana kur kanë mbetur edhe tre ditë nga afati 30-ditor...

Meqë nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin edhe pas 51 vazhdimesh dhe në rrethana kur kanë mbetur edhe tre ditë nga afati 30-ditor i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se me qasjen aktuale të partive opozitare nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
 
“Partitë mes vete të dakordohen që ta konstituojnë Kuvendin vetëm sa për ta shpërndarë që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Zgjidhje tjetër këtu nuk po shoh me këtë qasje që ekziston dhe me këtë mosbesim të thelluar.”, - deklaroi  Mimoza Kusari Lila nga LVV.
 
Por, zgjedhjet e parakohshme nuk i dëshiron Fatmir Limaj nga Nisma, i cili nuk dëshiron as pjesëmarrje në Qeveri, por insiston që ta marrë postin e kryeparlamentarit, të cilin nuk po pajtohet t’ia jep Lëvizja Vetëvendosje.
 
“Nëse shkojmë te zgjidhja e çështjes së konstituimit të Kuvendit pa pasur një shumicë mund të shkaktohen zgjedhje të parakohshme. Ne nuk mund t’i ndalim dhe nëse vjen deri tek ato, mund të ndodhin, por Nisma nuk do të kontribuojë në zgjedhje të tilla gjysmake që nuk i krijojnë institucionet.”, - theksoi Fatmir Limaj nga Nisma.
 
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vlerëson se meqë Vetëvendosje nuk po e shfrytëzon të drejtën për kryeparlamentarin, kjo e drejtë t’i jepet dikujt tjetër. 
 
“Të parit i takon kjo përgjegjësi për formimin e shumicës. Meqë i pari nuk dëshiron ta shfrytëzojë këtë të drejtë do të ishte e logjikshme që kjo e drejtë ti merret të parit dhe t’i kalohet atij që mund ta bëjë.”, - u shpreh kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
 
Ndërsa kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ngrit dilemën se çka pas 30-ditësh nëse nuk arrihet konstituimi. 
 
“Nuk e ka qartësuar as Gjykata Kushtetuese, por nëse nuk arrijmë ta konstituojmë brenda 30 ditëve, pikëpyetje e madhe është që ta konstituojmë ditën e 31-të.”, - deklaroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
 
Për dilemën se çka pas 30 ditëve, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të japë zgjedhjen e kësaj bllokade. 
 
GYLTENE SINANI