Botë
Gaza në agoni, mbi 1.000 të vdekur nga uria, vazhdon bllokada
23.07.2025 17:04
Uria vazhdon të përhapet në Rripin e Gazës...

Uria vazhdon të përhapet në Rripin e Gazës. Pesëmbëdhjetë civilë, përfshirë katër fëmijë, kanë vdekur nga uria vetëm brenda 24 orëve, njoftoi Ministria Palestineze e Shëndetësisë. Palestinezët e uritur u mblodhën për të marrë miell nga disa kamionë ndihmash të kufizuara. Familjet në këtë zonë të rrethuar po rrezikojnë jetën për të siguruar ushqim, ndërsa uria po shkakton gjithnjë e më shumë viktima mes civilëve.
"Kam marrë tre qese me makarona dhe tre patate – ushqim që duket si mbeturinë, edhe kafshët nuk do ta hanin. Ajo që kemi këtu nuk mjafton as për gjysmën e njerëzve që shihni. Nuk ka fare miell.", - tha një qytetar.
"Zoti është dëshmitar, nuk ka asgjë për të ngrënë. Vij këtu dy herë në ditë dhe përsëri nuk marr asgjë. Ajo që po ndodh është një tragjedi. Bota duhet të na kushtojë vëmendje.", - tha një qytetar tjetër.
"Kjo është padrejtësi. Çfarë ka bërë ky fëmijë që ta meritojë këtë? Shikoje, betohem që nuk kemi asgjë për të ngrënë në shtëpi. Çdo ditë humbasim më shumë njerëz. Nuk ka energji elektrike, as gaz. Erdha këtu, sepse nuk kemi ushqim. Duam vetëm ushqim për veten dhe fëmijët tanë.", - u shpreh një qytetar.
Më shumë se 30 njerëz kanë vdekur nga kequshqyerja gjatë tre ditëve të fundit. Që nga 27 maji, numri i personave që kanë vdekur duke pritur për ndihma humanitare është rritur në 1.026, ndërsa qindra të tjerë janë të plagosur ose të zhdukur.
"Izraelitët kishin shënjestruar një grup civilësh që ishin strehuar në portin e Gazës, duke rezultuar në shumë viktima. Deri më tani kemi nxjerrë disa të plagosur dhe të vdekur.’’, - theksoi një punonjës i Mbrojtjes Civile.
Bllokada izraelite e ndihmave humanitare ka hyrë në muajin e gjashtë radhazi. Autoritetet izraelite kanë mohuar leje për organizatat humanitare dhe kanë bllokuar aksesin në pikat kyçe të shpërndarjes, duke penguar hyrjen e ndihmave në Rripin e Gazës, sipas Kombeve të Bashkuara.
BELINDA KOKA ADEMI
