Maqedoni
Ministria e Ambientit, 227 milionë denarë komunave për 44 projekte
24.07.2025 13:13
Ministria e ambientit ka nënshkruar marrëveshje me komunat për realizimin e 44 projekteve në 33 komuna...

Ministria e Ambientit ka nënshkruar marrëveshje me komunat për realizimin e 44 projekteve në 33 komuna. Ato do të financohen nga programi investues i Ministrisë së Ambientit, ndërsa bëhet fjalë për projekte lidhur me rrjetet e kanalizimit, ujësjellësin, rrjetet atmosferike dhe mbrojtjen nga përmbytjet.
“33 komuna, pothuajse gjysma e komunave kanë përfituar projekte. Këto nuk kanë të bëjnë as me kredinë hungareze, as me fondet tjera, është fond i posaçëm i mjedisit jetësor, që kontribuon për mjedis më të mirë, për standard më të mirë të qytetarëve. Ndahen 227 milionë denarë për 44 projekte.”, - deklaroi ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
Në pyetjen rreth deponive të egra dhe rrezikun që paraqesin ato për paraqitjen e zjarreve, Mexhiti tha se ato janë kompetencë e komunave, por me ribalancë janë ndarë mjete për pastrimin e tyre.
“Këto ditë do të veprojmë në Nikushtak dhe Koçan me deponitë e egra, pra në Likovë dhe Koçan, ndërsa janë ndarë edhe 30 milionë denarë me ribalancë, afër 500 mijë euro për pastrimin e deponive të egra, edhe përkundër asaj se nuk janë kompetencë e jona.”, - theksoi ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
Mexhiti njëherësh theksoi nënshkrimin e memorandumit me kompaninë turke “AKSA” për gazifikimin e tërësishëm të vendit dhe ndërtimin e sistemeve kogjenerative, që do të kontribuojë në pastrimin e ajrit në nivel shteti 50 deri në 70%. Ai njëherësh theksoi edhe angazhimin për pastrimin e mbetjeve të rrezikshme, siç janë Lindani në Ohis, në Jugohron në Tetovë dhe në minierën në Llojan - Vaksincë, që paraqesin tre pika të nxehta që dëmtojnë ambientin dhe shëndetin e qytetarëve.
ABIBE QAILI
