Rajon

Fetai takoi Kurtin në Prishtinë, kanë biseduar për përgatitjet rreth zgjedhjeve lokale

24.07.2025 14:14

Fetai dhe Qoku kanë qëndruar në Prishtinë, ku në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje kanë takuar kreun e kësaj partie...

Zëvendëskryeministri Arben Fetai dhe koordinatori i Grupit Parlamentar të koalicionit VLEN, Bekim Qoku, kanë qëndruar në Prishtinë, ku në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje kanë takuar kreun e kësaj partie, njëherësh edhe kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
 
Siç ka bërë të ditur, pas takimit, zëvendëskryeministri Fetai, në takim, mes tjerash, është biseduar edhe rreth përgatitjeve për zgjedhjet lokale në dy vendet, të cilat do të mbahen në tetor të këtij viti. 
 
“Biseduam për përgatitjet për zgjedhjet lokale, të cilat rastisin të mbahen në tetor, si në Maqedoninë e Veriut ashtu dhe në Kosovë, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërpartiak në të ardhmen. U pajtuam për të vendosur komunikim të rregullt dhe bashkërendim për të nxitur progresin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërive dhe vendeve tona.”, thekson Fetai në njoftimin në rrjetet sociale. 
 
Ndërkohë, ashtu si edhe në Maqedoninë e Veriut edhe në Republikën e Kosovës partitë po bëjnë përgatitjet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Tanimë janë bërë publike edhe emrat e kandidatëve që do të garojnë për Prishtinën. LDK do të rikandidojë kryetarin aktual, Përparim Rama, ndërsa edhe PDK e rikandidon Uran Ismajlin, i cili ishte kandidat edhe në zgjedhjet e kaluara, por nuk arriti të futet në balotazh.
 
Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar kandidaturën e Hajrulla Çekut për kryeqendrën e Kosovës. AAK do të garojë me Bek Berishën. Ndërsa garës për Prishtinën do t’i futet edhe Besa Shahini nga PSD. Përveç garës për Prishtinën, garë e ashpër do të zhvillohet edhe në komunat tjera të Kosovës, e sidomos në qytetet më të mëdha, si Prizreni, Ferizaji, Gjilani, Gjakova apo Mitrovica. 
 
GYLTENE SINANI