Botë
Samiti BE – Kinë, Xhinping: Kina dhe BE-ja duhet të thellojnë besimin
24.07.2025 14:35
Në kryeqendrën kineze Peking u mbajt samiti i 25-të BE - Kina, me ç’rast kryetari i Këshillit të BE-së, Antonio Kosta...

Në kryeqendrën kineze Peking u mbajt samiti i 25-të BE - Kina, me ç’rast kryetari i Këshillit të BE-së, Antonio Kosta, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, u takuan me presidentin kinez, Ksi Xhinping. Në këtë takim është bërë fjalë për sfidat globale, marrëdhëniet tregtare dhe lufta në Ukrainë. Presidenti kinez ka thënë se Kina dhe Bashkimi Evropian duhet të thellojnë besimin, duke i marr parasysh turbulencat botërore. Sfidat me të cilat përballet Evropa tani nuk vijnë prej Kinës, ka thënë lideri kinez.
“Sa më e vështirë dhe më e komplikuar të jetë situata globale, aq më shumë Kina dhe BE-ja duhet ta përforcojnë komunikimin, ta rrisin besimin e ndërsjellë dhe ta thellojnë bashkëpunimin, që të kontribuojnë për stabilitet më të madh dhe siguri në botë me anë të marrëdhënieve stabile dhe të shëndosha.”, - deklaroi presidenti i Kinës, Ksi Xhinping.
Von der Lejen dhe Kosta, ndasi të thella për çështje tregtare BE - Kinë
Por, përfaqësuesit evropian e kanë bërë të qartë se ekzistojnë ndasi të thella për çështje tregtare të BE-së me Kinën, pasi ka shqetësime se mallrat e lira kineze mund të stërngarkojnë tregun evropian. Ata kanë thënë se blloku evropian dëshiron të shohë “përparim konkret në çështjet e lidhura me tregtinë dhe ekonominë dhe që të dyja dëshirojnë marrëdhënie nga e cila përfitojnë njëjtë.
“Siç thellohej bashkëpunimi ynë, ashtu thelloheshin edhe pabarazitë. Arritëm deri në atë kthesë. Ribalancimi i marrëdhënieve tona dypalëshe është me rëndësi esenciale, sepse që marrëdhëniet të jenë të qëndrueshme duhet të jenë në interes të të dyja palëve. Për arritjen e kësaj, me rëndësi vitale është Kina dhe Evropa t’i pranojnë shqetësimet dhe të dalin me zgjidhje të vërtetë.”, - theksoi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
“Bota po kalon në një periudhë të pasigurisë globale, duke përfshirë jostabilitetin ekonomik, tensione gjeopolitike, si dhe sfida për njerëzimin. Ne e ndajmë përgjegjësinë për ruajtjen e rendit, bazuar në rregulla dhe të përballemi me sfidat globale.”, - u shpreh kryetari i Këshillit të BE-së, Antonio Kosta.
Samiti u mbajt në rrethana kur BE-ja ka vendosur tarifa të ashpra në makinat elektrike të importuara nga Kina, duke argumentuar se subvencionet industriale të Pekinit i kanë dëmtuar padrejtësisht konkurrentët evropianë. Kina është kundërpërgjigjur me masa hakmarrëse ndaj disa produkteve ushqimore evropiane.
FLORIJE KAMBERI
