Botë

Bisedimet Rusi – Ukrainë, marrëveshje për këmbimin e 1.200 pengjeve

24.07.2025 14:59

Gjatë bisedimeve që zhvilluan në Stamboll, Rusia dhe Ukraina janë pajtuar që të këmbejnë 1.200 të burgosur të luftës...

Gjatë bisedimeve që zhvilluan në Stamboll, Rusia dhe Ukraina janë pajtuar që të këmbejnë 1.200 të burgosur të luftës. Moska i ka ofruar Kievit që t’ia dorëzojë edhe trupat e 3.000 ushtarëve të vrarë. Shefi i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov, pas takimit ka shprehur edhe gatishmërinë e vendit të tij për bisedime thelbësore për paqe. 
 
“Ukraina vazhdon të insistojë në ndërprerje të plotë dhe pa kushte të zjarrit, si bazë e domosdoshme për diplomaci efikase. Ne jemi të përgatitur për ndërprerjen e zjarrit dhe të fillojmë bisedime thelbësore për paqe. Nga pala tjetër varet nëse do ta pranojë këtë hap thelbësor drejt paqes.”, -  theksoi përfaqësuesi i Ukrainës, Rustem Umerov.   
                                                                                     
Por, shefi i delegacionit rus, Vlladimir Medinski, ka paraqitur propozimin rus për ndërprerje të shkurtra të luftimeve për 24 ose 48 orë, që të mund të evakuohen të plagosurit. Zyrtari rus thotë se Putini është i gatshëm të ulet me Zelenskin në takim, vetëm nëse paraprakisht ka marrëveshje të dakorduar. 
 
“Për mbajtjen e një takimi të tillë është e nevojshme që paraprakisht të përgatiten kushtet e marrëveshjes. Të kuptohet se çfarë do të diskutohet në atë takim. Në këtë takim është e  nevojshme jo të diskutohet marrëveshja, por t’i vihet pikë. Të nënshkruhet. Takim që të bisedohet nga zeroja nuk ka kuptim.”, - deklaroi përfaqësuesi i Rusisë, Vlladimir Medinski.               
                                        
Ndërkohë edhe pse sulmet ruse kanë vazhduar, rrugëve të disa qyteteve të Ukrainës qytetarët dolën për të protestuar kundër rritjes së kompetencave të prokurorit të shtetit. Presidenti Zelenski ka thënë se është i vetëdijshëm për vendimin e ndryshimit të ligjit për trupat kundër korrupsionit, por thekson se ndryshimet kanë për qëllim përforcimin e sundimit të ligjit. Por, kryetarja e Komisionit Evropan, Ursula von der Lejen, ka kërkuar sqarime nga Zelenski lidhur me ligjin e ri, duke theksuar se sundimi i drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit janë vlera themelore të BE-së, ku synon të anëtarësohet edhe Ukraina. 
 
ABIBE QAILI