Maqedoni
Kuvend, u miratua ligji për vauçerë studentorë
24.07.2025 15:15
Me 84 vota “për”, asnjë “kundër” dhe “të përmbajtur”, Kuvendi miratoi propozim-ligjin për vauçerët studentorë...

Me 84 vota “për”, asnjë “kundër” dhe “të përmbajtur”, Kuvendi miratoi propozim-ligjin për vauçerët studentorë. Me këtë propozim-ligj parashihet që çdo student i rregullt deri në moshën 29 vjeç do të përfitojë një vauçer prej 250 euro, që mund të përdoret për blerjen e laptopëve, tabletëve apo pajisjeve të tjera elektronike për studime. Sipas deputetes së VLEN-it, Feride Haxhiu, kjo është një e arritur shumë e madhe e kësaj Qeverie.
“Miratimi i propozim-ligjit për shpërndarjen e vauçerëve me vlerë, do t’i bëj studentët që të ndjehen të gjithë të barabartë, duke pasur mundësi që të gjithë të kenë pajisje elektronike si kompjuter, tablet, laptop. Të gjithë studentët që do të regjistrohen në vitin akademik 2025/2026, e që janë deri në moshën 29-vjeçare, pavarësisht nëse janë të regjistruar në universitetet shtetërore apo private si student të rregullt ose me korrespodencë, të gjithë do të kenë të drejtë të marrin vauçerë në vlerë prej 250 eurosh.”, - theksoi deputetja e VLEN-it, Feride Haxhiu.
Por, për LSDM-në opozitare, një ligj i tillë është shumë i qëlluar, por kjo po bëhet pikërisht kur vendi është para shpalljes së zgjedhjeve lokale, dhe se ky është vetëm një projekt që po bëhet për studentët.
“Me të vërtetë është për t’u përshëndetur çdo masë, e cila do ta rrisë standardin studentor. Edhe ne do ta përkrahim këtë propozim-ligj. Por, është njerëzore ta pranoni se kjo është vetëm një hap që keni bërë për studentët gjatë një viti qeverisjeje. Jo, nuk po përmendi të arriturat e Qeverisë së LSDM-së, siç janë rritja e bursave nga 3.000 në 6.500 denarë, 18 mijë denarë bursë për të posadiplomuarit, për herë të parë kemi bursa për studimet e doktoraturës, 25 milionë janë investuar në shtëpitë studentore.”, - deklaroi Daniella Nikollova nga LSDM.
Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dragana Bojkovska, kritikoi LSDM-në se gjendja në shtëpitë studentore ka qenë alarmante.
“Turp, po i poshtëroni të rinjtë me fjalime të tilla, se gjoja ju 7 vite në Qeveri paskeni realizuar projekte për studentët, kur keni hy për herë të fundit në shtëpitë studentore t’i shihni në çfarë gjendje i keni lënë.”, - theksoi Dragana Bojkovska nga VMRO-DPMNE.
“Vetëm me një fjali treguat me të vërtetë se kapacitetet e juaja demokratike dhe parlamentare i keni shumë të ulta.”, - u shpreh Daniella Nikollova nga LSDM.
Sipas hartuesve të këtij ligji, me këtë masë pritet të përfitojnë më shumë se 55 mijë studentë. Zbatimi i kësaj mase do të fillojë pasi të publikohet në gazetën zyrtare.
FITIM KRYEZIU
