Maqedoni

QMK: Natën e kaluar u shuan 40 zjarre

24.07.2025 15:39

Temperaturat e larta kanë ndikuar edhe në rritjen e numrit të zjarreve në ambiente të hapura....

Temperaturat e larta kanë ndikuar edhe në rritjen e numrit të zjarreve në ambiente të hapura. Qendra për Menaxhim me Kriza ka njoftuar se natën e kaluar janë shuar 40 zjarre, ndërsa 5 janë ende aktive dhe dy të tjerë janë vënë nën kontroll. 
 
Zonat më të rrezikuara vazhdojnë të jenë komunat Vasiljevë, Radovish dhe Berovë, ku në malin Goten i Madh dhe Malet e Malishevës, zjarret kanë përfshirë pyje të ulëta, shkurre dhe vegjetacion të dendur. Zjarret këtu përhapen shpejt dhe vështirë kontrollohen, për shkak të terrenit të vështirë dhe erërave të nxehta. Edhe komuna e Brodit është veçanërisht e goditur, me katër vatra aktive në zonat përreth fshatrave Lokvicë, Krapë, Greshnicë, Latovë dhe Creshnevë. Aty janë përfshirë pyje të përziera, bar i thatë dhe vegjetacion i degraduar, duke e bërë ndërhyrjen e zjarrfikësve tepër sfiduese. Një tjetër vatër serioze ndodhet në komunën e Zhelinës, ndërmjet fshatrave Cerovë dhe Grupçin, ku zjarri është përhapur në një pyll të ulët e të dëmtuar.
 
Në Çuçer Sandevë dhe Kumanovë zjarret janë shuar plotësisht, bëjnë të ditur nga Qendra për Menaxhim me Kriza, nga e cila apelojnë te qytetarët që të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë, të jenë të kujdesshëm gjatë lëvizjes në zona pyjore dhe të njoftojnë autoritetet në rast të vërejtjes së ndonjë vatre të re.
 
ARDITA RAMADANI