Maqedoni
MPB – Kumanovë, kallëzim penal ndaj kreut të Kriva Pallankës
24.07.2025 15:50
Sektori për Punë të Brendshme - Kumanovë ka parashtruar kallëzim penal ndaj kryetarit të Kriva Pallankës, Sashko Mitovski...

Sektori për Punë të Brendshme - Kumanovë ka parashtruar kallëzim penal ndaj kryetarit të Kriva Pallankës, Sashko Mitovski, dhe dy punonjësve të komunës, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i detyrës dhe autorizimit zyrtar”. Siç bëjnë të ditur nga sektori i punëve të brendshme në Kumanovë, i denoncuari i parë K.P., i punësuar në komunën e Kriva Pallankës, në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe në kundërshtim me detyrat dhe obligimet e tij të punës, përgatiti vendim për ndryshimin e investitorit, edhe pse afati i lejes së ndërtimit, të cilën e posedonte investitori, kishte skaduar.
E denoncuara e dytë M.K.,udhëheqëse e Departamentit për Urbanizëm, Komunikacion dhe Mbrojtje të Mjedisit në komunën e Kriva Pallankës, në kundërshtim me detyrat dhe obligimet e saja të punës, nuk ka bërë mbikëqyrjen dhe kontrollin e detyrueshëm të vendimit për ndryshimin e investitorit dhe me nënshkrim e miratoi si të vlefshëm, me çka i mundësoi G.S. nga Kriva Pallanka të vazhdonte ndërtimin e filluar më parë të shtëpisë me hapësirë afariste pa poseduar leje të vlefshme ndërtimi. Ndërsa kryetari i komunës dyshohet se nuk ka kryer mbikëqyrje dhe kontroll të detyrueshëm të vendimit të nxjerrë për ndryshimin e investitorit dhe e ka miratuar atë si të vlefshëm me nënshkrim ose faksimile dhe vulë të komunës.
LSDM: Kallëzimi penal ndaj Mitovskit, fushatë e instrumentalizuar nga pushteti
Lidhur me këtë kallëzim penal kanë reaguar nga LSDM.
“Ky nuk është rast i izoluar. Në të gjitha komunat ku udhëheq LSDM-ja ka filluar fushatë e instrumentalizuar për presion nga të gjitha institucionet, kryhen inspektime dhe shpiken shkelje. Ndërsa në komunat me të cilat udhëheq VMRO-DPMNE dhe VLEN nuk kontrollohet asgjë dhe nuk ka inspektime. Derisa Toshkovski turpshëm e mbron krimin e Visar Ganiut prej 225 milionë eurosh, atyre që punojnë ndershëm u shpik kallëzime penale, për të kryer terror dhe frikësim.”, - deklaroi Aleksandar Sasha Dimitrijeviq nga LSDM.
VMRO-DPMNE: LSDM të mësohet, ligji vlen për të gjithë
Kundër reagim nga VMRO-DPMNE.
“LSDM duhet të mësohet se ligji vlen dhe duhet të vlejë njëjtë për të gjithë. Kaloi koha e selektivitetit dhe mbrojtjes së figurave partiake dhe zyrtarëve të LSDM-së. Koha kur shkelja e ligjit nga zyrtarët shtetërorë ishte rregull dhe ata kalonin pa u ndëshkuar, ka përfunduar me kalimin e LSDM-së në opozitë. Proceset e montuara, revanshizmi dhe përndjekja e atyre që mendojnë ndryshe janë vendime që e kanë shënuar kohën e pushtetit të LSDM-së.”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
ERSAN PAJAZITI
