Maqedoni

Moti, temperaturat në vend deri në 42 gradë

24.07.2025 16:06

Vendi ynë vazhdon të përballet me temperatura të larta....

Vendi ynë vazhdon të përballet me temperatura të larta. Nga Enti hidrometeorologjik thonë se temperaturat arrijnë deri në 42 gradë Celsius, që do të vazhdojnë deri ditën e shtunë. Për shkak të temperaturave të larta, Qeveria ka liruar nga puna kategoritë e rrezikuara, gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç.
 
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike ka aktivizuar tashmë alarmin e kuq, por lajmi i mirë është se temperaturat e larta do të vazhdojnë vetëm deri të shtunën, ndërsa të dielën do të ketë ulje të ndjeshme të temperaturave.
 
“Kjo valë e të nxehtit të dielën do të ulet. Të dielën do të kemi temperatura më të ulëta të ditës në interval prej 30 deri në 38 gradë. Ndërsa të hënën temperatura do të vazhdojë të jetë në rënie deri në fund të muajit korrik. Këto temperatura që do t’i kemi, do të jenë nën mesataren për muajin korrik. Nga e hëna e javës së ardhshme do të kemi ulje të temperaturave për 10 gradë, përkatësisht në interval prej 27 deri në 36 gradë.”, - theksoi një sinoptikane.
 
Në pritje të uljes së temperaturave, qytetarët thonë se gjatë lëvizjeve nëpër qytet freskohen me ujë të ftohtë, si dhe kujdesen që terapinë mjekësore ta marrin me kohë.
 
“Nxehtë, por freskohemi me ujë të ftohtë dhe rrimë në hije më shumë. Terapinë e marrim në kohë.”, - tha një qytetar.
 
“Me vështirësi po e përballojmë, po duhet të ruhemi pak, nuk dalim në të nxehtë, po udhëzimet që i japim, medoemos se i shërbejmë shëndetit tonë. Po, pimë edhe lëngje.”, - tha një qytetar tjetër.
 
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike ka aktivizuar tashmë alarmin e kuq për motin. Instituti i Shëndetit Publik ka lëshuar rekomandime për qytetarët, ndërsa Qeveria ka miratuar vendim që obligon punëdhënësit nga data 23 deri më 26 korrik të lirojnë nga puna kategoritë e rrezikuara, gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç. Edhe Ministria e Shëndetësisë u bëri apel qytetarëve që t’u përmbahen rekomandimeve ekzistuese për vetëmbrojtje, të cilat përfshijnë qëndrimin në hapësira të freskëta, veçanërisht nga ora 11:00 deri në orën 17:00, pirjen e mjaftueshme të lëngjeve, shmangien e alkoolit dhe pijeve me sheqer, veshjen e rrobave të lehta dhe me ngjyrë të hapur, përdorimin e mbrojtësve të kokës dhe syve, si dhe shmangien e aktivitetit fizik gjatë orëve më të nxehta.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI