Maqedoni
Murtezani në Gjermani, takon homologun e tij gjerman Krihbaum
24.07.2025 17:17
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, ka realizuar takim me ministrin për Evropë të Gjermanisë, Ginter Krihbaum....

Në fokus të takimit ishte nevoja për mbrojtjen e procesit të negociatave të aderimit nga kushtëzimet dypalëshe dhe narrativet revizioniste. Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e krijimit të mekanizmave efektivë evropianë për vendosjen dhe monitorimin e standardeve dhe ekspertizës, sidomos në fushën e çështjeve historike dhe marrëdhënieve dypalëshe – për të garantuar një proces të drejtë, të parashikueshëm dhe të bazuar në merita.
“Maqedonia e Veriut po implementim reforma të rëndësishme, po ndërton sundimin e ligjit dhe po përgatitet institucionalisht për anëtarësim. Por është po aq e rëndësishme që edhe vetë BE-ja të jetë e gatshme për zgjerim,” u theksua gjatë takimit.
Ministri Krihbaum konfirmoi se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë integrimin gradual të vendeve kandidate në BE, duke ruajtur standardet dhe ofruar përfitime konkrete për qytetarët edhe gjatë rrugës drejt anëtarësimit, thuhet në postimin e Murterzanit në rrjetet sociale.
