Maqedoni
“Foreign Affairs” - analizë për Ballkanin, SHBA hoqi dorë herët nga përgjegjësia për rajonin
17.05.2015 16:23
Një nga revistat më me ndikim në botën e marrëdhënieve ndërkombëtare, "Foreign Affairs", analizon se Uashingtoni e ka bartur përgjegjësinë në Ballkan tek evropianët shumë herët...

Sipas revistës, strategjia “karrota dhe shkopi” nuk po jep rezultate, sidomos kur lideri rus, Vladimir Putin, nuk zgjedh mjete, që prej shantazhit ekonomik e deri te mbështetja e Qeverisë së Nikolla Gruevskit në Shkup, për të reduktuar ndikimin e Perëndimit. Maqedonia, Bosnja dhe Kosova, janë buzë greminës, të rrënimit të institucioneve dhe përshkallëzimit e dhunës, shkruan revista.
“Maqedonia është shembull i vërtetë i dështimit, ndërsa Shteteve të Bashkuara dhe BE-¬së ky vend pak u intereson, ndaj Greqia bllokon rrugën e saj për në BE dhe NATO. Qeveria rreshton skandalet, kundër saj në protesta u bashkuan maqedonasit dhe shqiptarët. E, në të njëjtën kohë “ekziston rreziku i ekstremizmit shqiptar”, sipas Gruevskit, që luan në kartën e nacionalizimit dhe konspiracionit ndërkombëtar. Gruevski është i vendosur për të luftuar për pushtet deri në fund, duke lënë stabilitetin e Maqedonisë në rrënoja”, analizon Foreign Affairs.
Nëse Maqedonia është dhimbje akute, Bosnja po përballet me lëndim të thellë dhe pothuajse të pashërueshëm. Si faktorë më të rrezikshëm në këtë shtet përmenden islami radikal dhe ndikimi rus, ndërsa për udhëheqësit politikë të serbëve dhe kroatëve vlerësohet se po tërheqin lëvizje të veçanta për ndarjen e vendit.
Rezultatet e regjistrimit do të dalin në qershor, ndërsa 20 vjetori i Masakrës së Srebrenicës do të rrezikonte më tej vendin e brishtë, e cila do të zhytet në një luftë të re në rast të një referendumi për të qëndruar Republika Serbe në Bosnjës dhe Hercegovinë. Sipas "Forin Afers", edhe Kosova është në gjendje të mjerueshme.
Si “rrezik” përmenden opsionet për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, gjë që do të sillte konflikt të ri me Beogradin. "Brukseli dhe Uashingtoni duhet të bëjnë presion tek liderët shqiptarë që të përparojnë në reforma dhe sundim të ligjit", shkruan në analizën e saj, revista e njohur.
SANIJE KASAMI
