Maqedoni

Rezoluta në Parlamentin Evropian, përplasje mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së

25.07.2025 13:13

VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë shkëmbyer sërish akuza në lidhje me çështjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase....

VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë shkëmbyer sërish akuza në lidhje me çështjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-kryeministrit bullgar, Bojko Borisov, duke theksuar se ky i fundit ka pranuar se personalisht ka qenë autor i propozimit për përjashtimin e identitetit dhe gjuhës maqedonase nga dokumenti evropian.
 
“Zaevi dhe LSD-ja shkatërruan diplomacinë dhe shkatërruan integritetin e Maqedonisë. Bojko Borisovi, të cilin Zaevi e quajti vëlla të tij, mburret personalisht se si e hartoi propozimin për fshirjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase nga Rezoluta e PE-së. Ky është rezultat i politikës së Zaevit dhe LSD -së, të cilët thanë gjëra që as shovinistët më të mëdhenj bullgarë nuk mund t'i imagjinonin. Zaevi, Filipçe dhe LSD-ja janë drejtpërdrejt fajtorë për të gjitha mohimet nga Bullgaria, sepse shitën gjithçka që mundën për interesin e tyre personal. Dhe tani Zaevi, Filipçe dhe LSD-ja, së bashku me kërpudhat bullgare në Maqedoni, po lëvizin kundër gjuhës dhe identitetit.”, - deklaroi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
 
Lidhur me akuzat e VMRO-DPMNE-së, ka reaguar edhe LSDM. Nga kjo partie theksojnë se përpjekjet e deputetit Mile Lefkov për ta lidhur LSDM-në me çështje që kanë të bëjnë me Bullgarinë, si dhe për të shitur patriotizëm të rremë, janë të pabaza dhe qesharake.
 
“Lefkovi duhet të fshihet në një gropë, po e turpëron veten dhe DPMNE-në. Ne rekomandojmë që ai të shkojë në shtetin rezervë, në vend që të mbajë konferenca për shtyp se kush ishte patriot dhe kush ishte tradhtar. Prandaj, Lefkovi dhe Mickoski nuk kanë asgjë tjetër për të thënë, përveçse të përsërisin të njëjtat konferenca për shtyp çdo ditë si papagaj. Realiteti është se DPMNE ka kaq shumë qytetarë bullgarë në lidershipin e saj, saqë nëse dëshiron, mund të formojë një qeveri në Bullgari.”, - thuhet në komunikatën e LSDM-së. 
 
Sipas LSDM-së opozitare, VMRO-DPMNE-ja po mundohet me gënjeshtra dhe trillime të tilla ta tërheqë vëmendjen e qytetarëve, në mungesë të rezultateve konkrete nga qeverisja njëvjeçare.  
 
FITIM KRYEZIU