Maqedoni

KShPK, kryetarja e Antikorrupsionit dorëzoi dorëheqjen

25.07.2025 14:07

Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska, dha dorëheqjen sot nga posti i saj, njoftoi Parlamenti....

Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK), Tatjana Dimitrovska, dha dorëheqjen sot nga posti i saj, njoftoi Parlamenti. Dorëheqja vjen vetëm disa ditë pasi Prokuroria ngriti një aktakuzë kundër saj më 18 korrik për veprat penale të Zbulimit të Sekreteve Zyrtare dhe Falsifikimit Kompjuterik."Kabineti i Kryetarit të Kuvendit e njofton opinion publik, se kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK), znj. Tatjana Dimitrovska, sot ia parashtroi dorëheqjen nga posti i saj kryetarit të Kuvendit, z. Afrim Gashi. Njëkohësisht, ju njoftojmë se Kuvendi do të veprojë në përputhje me procedurat e parapara, për të cilat do të informoheni me kohë"-thuhet në njoftimin e Kuvendit.
 
Shkarkimin nga posti i kryetares së Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit e sjell Kuvendi. Në bazë të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, neni 14, paragrafi 7 pas shkarkimit në afat prej 10 ditëve duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e kryetarit të ri.
 
"Në rast të shkarkimit, përkatësisht pushimit të funksionit të kryetarit, përkatësisht anëtarit të Komisionit Shtetëror para skadimit të mandatit, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë fillon procedurë për zgjedhjen e kryetarit të ri, përkatësisht anëtarit të Komisionit Shtetëror, jo më vonë se në afat prej dhjetë ditësh.".
 
Akuza kundër Dimitrovskës lidhet me rastin “Aditiv”, i cili ka të bëjë me furnizimin e aditivëve me vlerë mbi 6 milionë euro për REK “Manastir”. Aksioni në këtë rast filloi në nëntor të vitit të kaluar dhe i dyshuari kryesor është ish-drejtori i ESM-së, Vasko Kovaçevski.
 
"Përmes telefonit të saj zyrtar dhe aplikacioneve Viber dhe WhatsApp, ajo i ofroi të pandehurit informacione në lidhje me procedurat e filluara, për hapjen e rasteve kundër personave juridikë dhe individëve tani të pandehur në rastin "Aditiv", shënime zyrtare në lidhje me hapjen e një çështjeje dhe caktimin e një anëtari të KShPK-së, vendime në lidhje me të njëjtën çështje, si dhe informacione në lidhje me kontrollin e pronës së të pandehurit dhe familjes së tij. Me veprimet e saj, ajo zbuloi të dhëna që, sipas ligjit, konsiderohen sekret zyrtar dhe zbulimi i të cilave mund të ketë pasoja të dëmshme, si për shërbimin ashtu edhe për procedurat para PPNKOK.”, thuhet në akuzën e Prokurorisë. 
 
Edhe pse Dimitrovska fillimisht kishte deklaruar se nuk do të dorëhiqet nga pozita duke u bazuar në parimin e prezumimit të pafajësisë, nuk munguan thirrjet për përgjegjësi për të mos ulur besimin e qytetarëve në institucionin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
 
FLORIJE KAMBERI