Maqedoni
Projektet komunale, VLEN: Me 43 projekte po ndryshojmë komunat
25.07.2025 14:22
Në 33 komuna të vendit po realizohen 43 projekte madhore në vlerë prej 227 milionë denarë...

Në 33 komuna të vendit po realizohen 43 projekte madhore në vlerë prej 227 milionë denarë, e që kanë për synim ndërtimin e ujësjellësve, rrjeteve të kanalizimit dhe menaxhimin efikas të ujërave. Koalicioni VLEN angazhimin e tillë e shikon si aksion me investime konkrete dhe rezultate të dukshme, që do të lënë gjurmë në komuna.
“VLEN-i nënvizon me krenari nisjen e projektit për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit fekal për fshatin Xhepçishtë, një investim prej 30 milionë denarësh, i firmosur në Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në prani të ministrit Izet Mexhiti dhe përfaqësuesve lokalë. Ky projekt nuk është thjesht një tubacion apo një dosje teknike, por një hap i domosdoshëm drejt dinjitetit urban, shëndetit publik, mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm rural.”, - deklaroi Resmi Ejupi nga VLEN.
BDI: Shqiptarët në Jegunovcë, pa ujë
BDI ka dalë me kritika për qeverinë aktuale. Sipas tyre, shqiptarët në Jegunovcë nuk kanë ujë të pijshëm.
“Ndërprerja e ujit vetëm në pjesën ku jetojnë shqiptarët është tendencioze dhe diskriminuese. Kjo është fytyra e vërtetë e VMRO-së dhe partnerëve të saj lokalë, të cilët sot i përdorin edhe shërbimet bazike si armë politike për të nënshtruar e poshtëruar shqiptarët.”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
Memorandumi për gazifikim, ASh: Qeveria i hap derën korrupsionit
As ASh-ja e Arben Taravarit dhe LSDM-ja nuk kursejnë akuzat ndaj Qeverisë. ASh-ja e vlerëson të rrezikshëm bashkëpunimin me kompaninë “Kazanxhi Holding”, përkatësisht “Aksa Energji”. Socialdemokratët thonë se Mickoski po hesht para krimit.
““Aksa Energy” po hetohet për korrupsion në Ganë. Ky veprim rrezikon të ardhmen energjetike. Qeveria zgjedh që të mbyllë marrëveshjen në mënyrë sekrete. ASh-ja kërkon anulimin e memorandumit dhe hapjen e një debati publik për politika afatgjate energjetike në vend.”, thuhet në reagimin e ASh-së Taravarit.
LSDM: Mickoski po hesht para krimit
“Mickoski hesht për ndërtimet e paligjshme në Çair. Ideja për një hekurudhë përgjatë Vardarit është jashtëzakonisht e gabuar. Shkatërrimi i asaj hapësire me shina dhe zhurmë do të ishte vandalizëm kulturor dhe ekologjik.”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
VMRO: LSDM mbron krimin në komuna
Nga VMRO-DPMNE thonë se Qeveria po përmirëson standardin. Ata akuzuan LSDM-në se po mbron shkeljet dhe brutalitetin e kryetarit të Kriva Pallankës ndaj policisë lokale.
“Sashko Mitovski u akuzua penalisht pasi pa kontrolluar vendimin për ndryshim të një investitori, me nënshkrimin e tij dhe vulë të komunës e miratoi këtë akt si të vlefshëm.”, - theksoi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
Nga VMRO-DPMNE kërkojnë nga Prokuroria të hetojë rastin.
MERAL ISMAILI
