Kulturë
“Nëna”, filmi i ri për Nënë Terezën, një rrëfim shpirtëror në ekranin evropian
25.07.2025 14:47
Filmi më i ri i regjisores, Teona Strugar Mitevska, me titullin “Nëna”, do të ketë premierën botërore më 28 gusht..

Filmi më i ri i regjisores, Teona Strugar Mitevska, me titullin “Nëna”, do të ketë premierën botërore më 28 gusht në edicionin e 82-të të Festivalit të Filmit në Venedik. Filmi do të hapë programin garues “Horizonte”, i njohur për promovimin e formave inovative dhe të guximshme të rrëfimit kinematografik. Producentja dhe aktorja, Labina Mitevska, në një konferencë për media tha se interesi për filmin ka qenë i jashtëzakonshëm që në fazat e hershme të zhvillimit.
“Gjatë kërkimeve kuptuam se shumica e asaj që dihej për Nënë Terezën bazohej në legjenda. Realisht ishin vetëm katër motra të moshuara që kishin nisur misionin me të dhe që mund të jepnin dëshmi direkte. M’u deshën tetë muaj negociata për të marrë lejen për të xhiruar, pa e ditur se për 15 vjet asnjë gazetar nuk kishte hyrë në shtëpitë e tyre, për shkak të një dokumentari kontravers të BBC-së që kishte lënë pasoja serioze.”, - deklaroi producentja, Labina Mitevska.
Filmi fokusohet në shtatë ditët vendimtare në jetën e Nënë Terezës, kur ajo përballet me dyshime të thella dhe kriza shpirtërore, pak para se të nisej në misionin që do ta shndërronte në simbol të shpresës dhe mëshirës. Rolin e Nënës Terezë e luan aktorja suedeze, Noomi Rapace.
“Jam shumë i lumtur që pas plot 10 vitesh, filmi “Nëna” është përfunduar. Ka qenë një proces i gjatë, i lodhshëm dhe jashtëzakonisht kërkues , por mbi të gjitha, një përkushtim i madh nga ana e producentëve dhe regjisores. Ky nuk është vetëm një film, por një rrëfim i thellë shpirtëror që kërkon durim dhe vizion.”, - theksoi ministri i Kulturës, Zoran Mitkov.
Filmi do të shfaqet në mbi 15 shtete evropiane duke nisur nga 3 dhjetori, një arritje e rrallë për një produksion maqedonas. Ndërkohë, premiera kombëtare është caktuar më 20 shtator në hapjen e Festivalit “Vëllezërit Manaki” në Manastir.
ARDITA RAMADANI
