Maqedoni
Shtatë zjarre aktive, digjen pyje me trungje të ulëta
25.07.2025 15:00
Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e vendit janë regjistruar gjithsej 33 zjarre në ambiente të hapura.....

Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e vendit janë regjistruar gjithsej 33 zjarre në ambiente të hapura. Prej tyre, shtatë vazhdojnë të jenë aktive, shtatë janë vënë nën kontroll, ndërsa 19 janë shuar plotësisht.
Sipas QMK-së, aktualisht po digjen sipërfaqe pyjore në komunat Vasilevë, Radovish dhe Berovë, konkretisht në fshatin Niviçinë, malin Golem Goten dhe në Malet e Malishevës, ku janë përfshirë shkurre, vegjetacion i ulët dhe pyje me trungje të ulëta e bredha. Zjarre të tjera aktive janë regjistruar edhe në fshatin Beshishtë (Kodra e Beshishtës), në fshatin Çreshnevë të komunës së Makedonski Brod, në fshatrat Dragojev dhe Sellcë në komunën e Shtipit, fshatin Niviçan të Koçanit, fshatin Junuzli në Karbinci, si dhe në fshatin Gumalevë në komunën e Zelenikovës. Ndërkohë, nën kontroll janë vendosur zjarret në zonën ndërmjet fshatrave Carevi dhe Smollanë (Prilep), në vendin e quajtur Kodra e Radobillit; në fshatin Llatovë; në vendin Markova Stapallka; ndërmjet fshatrave Llokvisë dhe Krapë; pranë fshatit Greshnicë në Makedonski Brod; në fshatin Perovë e Poshtme të Resnjës, si dhe në zonën ndërmjet fshatrave Cerovë dhe Grupçin në komunën e Zhelinës.
