Maqedoni
Shënohet dita më e nxehtë e vitit, Mjekët: Të shkurtohet orari i punës për të gjithë
25.07.2025 15:06
Sot shënojmë ditën më të nxehtë të vitit me temperaturë rekord prej 43 gradë Celsius....

Sot shënojmë ditën më të nxehtë të vitit me temperaturë rekord prej 43 gradë Celsius. Kjo nxehtësi ekstreme kërkon kujdes maksimal ndaj shëndetit dhe energjisë. Mjekët ftojnë të gjithë qytetarët të marrin masa parandaluese dhe të qëndrojnë të hidratuar.
Qeveria ka miratuar vendim që obligon punëdhënësit nga data 23 deri më 26 korrik që t’i lirojnë nga puna kategoritë e rrezikuara, gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç. Edhe Ministria e Shëndetësisë u bëri apel qytetarëve që t’u përmbahen rekomandimeve ekzistuese për vetëmbrojtje, të cilat përfshijnë qëndrimin në hapësira të freskëta, veçanërisht nga ora 11:00 deri në orën 17:00, pirjen e mjaftueshme të lëngjeve, shmangien e alkoolit dhe pijeve me sheqer, veshjen e rrobave të lehta dhe me ngjyrë të hapur, përdorimin e mbrojtësve të kokës dhe syve, si dhe shmangien e aktivitetit fizik gjatë orëve më të nxehta.
Mjekët thonë se në kushte kur temperaturat janë shumë të larta, rekomandimet e Qeverisë nuk janë të mjaftueshme. Sipas tyre, duhet të merren masa të detyrueshme.
“Rekomandim deri tek institucionet, nëse munden të sjellin vendim për shkurtimin e orarit të punës për të gjithë shoqërinë, sepse me të vërtetë këto temperatura të larta mbi 45 gradë Celsius janë ferr i vërtetë për qytetarët.”, - theksoi një mjeke.
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike ka aktivizuar tashmë alarmin e kuq për motin. Ata njoftojnë se vala e të nxehtit tropikal do të vazhdojë deri ditën e shtunë, ndërsa ditën e diel pritet të ulen temperaturat dhe të freskohet moti.
VLORA LATIFI TOPOJANI
