Rajon
Konstituimi i Kuvendit dështoi 52 herë, nesër vazhdimi i fundit, nuk përjashtohen zgjedhjet
25.07.2025 15:51
Për të 52-ën herë dështoi seanca për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Edhe pse kanë mbetur edhe pak orë afat për konstituimin e Kuvendit, për të 52-ën herë dështoi seanca për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pushteti dhe opozita nuk lëvizën nga qëndrimet e tyre, prandaj meqë nuk pati numër të mjaftueshëm të votave për komisionin për votim të fshehtë, kryesuesi e ndërpreu seancën, duke e caktuar vazhdimin e radhës për të shtunën në ora 14:00.
“Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, masa e përkohshme do të hyjë në fuqi më 27 korrik në kohëzgjatje deri më 8 gusht. Duke e pasur parasysh se kjo masë do të hyjë në fuqi ditën e diel dhe afati për konstituimin e Kuvendit i vendosur nga Gjykata Kushtetuese përfundon nesër, atëherë si përpjekje për konstituimin e Kuvendit seancën e radhës do ta mbajmë nesër.”, - deklaroi kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Për kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryesuesi i seancës konstituive e ka shkelur Kushtetutën.
“Shenjë e mirë që është vendosur masa e përkohshme, është një shenjë se kryesuesi ka shkelur Kushtetutën dhe kjo është një përmbysje e rendit kushtetues.”, - theksoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Por, këtë qëndrim nuk e ndanë kandidatja për kryeparlamentare nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila thotë se nëse nuk ka reflektim nga partitë opozitare, Kosova do të shkojë në zgjedhje.
“Ne jemi që të konstituohet Kuvendi, të votohet qeveria e re dhe jo të shkojmë në zgjedhje, por në qoftë se nuk ka reflektim, atëherë edhe në raport me analizën kushtetuese, e vetmja zgjidhje mund të jenë zgjedhjet.”, - u shpreh Albulena Haxhiu nga LVV.
Do të ishte e mundimshme, por jo e jashtëzakonshme që t’u kthehemi kutive të votimit, thotë kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Ne kemi zgjedhjet lokale më datën 12 tetor, pastaj kemi edhe raundin e dytë të balotazhit, edhe një proces tjetër zgjedhor do të ishte i mundimshëm, po e quaj, por në fund të fundit demokracia funksionon kështu.”, - deklaroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Shkuarjen në zgjedhje nuk e dëshirojnë AAK-ja dhe Nisma.
“Nuk mendojmë se duhet të favorizohen zgjedhjet, pa i shteruar mundësitë për t’i krijuar institucionet, pra nuk do të ishte në regull të nxitojmë për zgjedhje, të cilat do të prodhojnë një rezultat, por mund të sjellin një situatë të ngjashme.”, - theksoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Nisma nuk shkon drejt zgjidhjeve parciale, Nisma nuk kontribuon për të shkuar vendi në zgjedhje. Nisma është këtu për të kontribuar për ndërtimin e institucioneve.”, - u shpreh kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.
Ndërtimin e institucioneve e kërkuan edhe euroambasadori Aivo Orav dhe ai gjerman Rohde.
“Ne erdhëm me shpresë të madhe këtu dhe fatkeqësisht asgjë nuk ndodhi sërish. Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë, i duhet një qeveri e re, që do ta ndërtonte një urë të re të fortë mes Kosovës dhe Brukselit, që ta përshpejtojë rrugëtimin e saj drejt BE-së.”, - deklaroi ambasadori i BE-së në Prishtinë, Aivo Orav.
“Jemi këtu për ta theksuar shqetësimin tonë dhe urgjencën për të formuar institucionet. Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurt dhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Klasa politike po dështon përballë qytetarëve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte një karton i kuq për ata që nuk konstituojnë Kuvendin.”, - theksoi ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde.
Nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e shfrytëzojnë edhe seancën e së shtunës që do të jetë e fundit para masës së Gjykatës Kushtetuese, atëherë Kosova futet në paqartësi kushtetuese për hapat e mëtejmë. Sipas ekspertëve kushtetues në Kosovë, nëse deputetët dështojnë ta konstituojnë Kuvendin brenda 30-ditëve, atëherë janë dy masa që pritet t’i merr kushtetuesja: humbjen e mandateve dhe shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme.
GYLTENE SINANI
