Botë
Franca do ta njohë Palestinën, reagojnë ashpër Izraeli dhe ShBA-ja
25.07.2025 16:16
Presidenti francez, Emanuel Makron, ka njoftuar se Franca do ta njohë shtetin e Palestinës në shtator...

Presidenti francez, Emanuel Makron, ka njoftuar se Franca do ta njohë shtetin e Palestinës në shtator, në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ai bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e pengjeve dhe ndihmë humanitare për Gazën.
"Në përputhje me angazhimin historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca ta njohë Shtetin e Palestinës. Do ta bëj deklaratën zyrtare në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.", - deklaroi presidenti i Francës, Emanuel Makron.
Nga ana tjetër, sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio, tha se Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë planin e presidentit francez Emanuel Makron për ta njohur Palestinën si shtet.
“Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë fuqimisht planin e presidentit francez Emanuel Makron për të njohur shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.”, - theksoi sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio.
Ky vendim u dënua edhe nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu.
"E dënojmë fuqimisht vendimin e presidentit Makron për të njohur një shtet palestinez pranë Tel Avivit, pas masakrës së 7 tetorit. Një vendim i tillë shpërblen terrorin dhe rrezikon të krijojë një tjetër përfaqësues iranian, njësoj siç ishte rasti me Gazën.", - u shpreh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Ndërkohë, është thirrur një takim urgjent midis Parisit, Londrës dhe Berlinit për situatën në Gazë. Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka theksuar se në takim do të diskutohet se çfarë mund të bëhet urgjentisht për të ndaluar vrasjet dhe për të siguruar që popullsia të ketë ushqimin e nevojshëm. Ai ka riafirmuar të drejtën e patjetërsueshme të popullit palestinez për shtetësi. Palestina deri më tani është njohur nga 142 vende në botë, por në Kombet e Bashkuara gëzon vetëm statusin e vëzhguesit të përhershëm.
ARMEND MURSELI
