QMK, janë regjistruar 29 zjarre aktive
Në territorin e Maqedonisë së Veriut janë regjistruar gjithsej 29 zjarre...

Në teritorin e Maqedonisë së Veriut janë regjistruar gjithsej 29 zjarre në ambiente të hapura, njofton Qendra për Menaxhim me Kriza. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht 10 zjarre mbeten aktive, tre janë vendosur nën kontroll, ndërsa 16 janë shuar plotësisht.
Zjarret që janë vënë nën kontroll ndodhen në Makedonski Brod, Shuto Orizare dhe Kurbinc.
Ndërkohë, zjarret e shuara janë raportuar në komunat e Gostivarit, Tetovës, Kumanovës dhe Prilepit.
LSDM, kritika Qeverisë për menaxhimin e zjarreve
LSDM ka kritikuar qeverinë për mënyrën e menaxhimit të zjarreve që së fundmi e kanë kapluar vendin. Sipas kësaj partie që nga ardhja e Hristijan Mickoskit në krye të qeverisë janë bërë shkrum e hi, rreth 20 % e sipërfaqeve pyjore dhe kullotave.
“Vetëm javën e kalaur kanë qenë aktiv mbi 100 zjarre në teritorin e vendit. Kanë hyrë në javën e dytë zjarret në komunën e Vasilevës, Radovishit, dhe në komunën e Berovës. Mali Goden pothuajse është shkrumbuar tërsisht. Zjarre ka edhe në Prilep, Makedonski Brod, Shtip, Zelenikovë, Zhelinë, Strumicë, Shuto Orizare, Karbincë, Kumanovë, Likovë, Gostivar, Nagoriç, dhe Rosoman. Po digjet e tërë Maqedonia. Prandaj prej këtu parashtrohet pyetja a është edhe kjo pjesë e planit patriotik të Mickoskit. Me cilën fytyrë Mickoski flet për patriotizëm, kur e la shtetin pa paisje adekuate për tu përballur me zjarret?” – u shpreh Metodija Ilieveski nga LSDM.
VMRO-DPMNE, LSDM pranon se e la shtetin pa pajisje kundër zjarrit
Kanë reaguar nga VMRO-DPMNE, nga e cila parti thonë se është mirë që LSDM pranon se për shtatë vite në pushtet e ka lënë shtetin pa pajisje të përshtatshme për përballje me zjarret.
“Sikur mezi presin që të ndodhë ndonjë fatkeqësi në shtet, që LSDM të dalë dhe nga ajo të krijojë tema për konferenca për shtyp dhe vetëpromovim. Në të njëjtën kohë, zjarret, në këto temperatura jashtëzakonisht të larta, nuk janë problem vetëm në Maqedoni, por në të gjithë rajonin dhe në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat po përballen me fatkeqësi nga zjarret. Për më tepër, përveç temperaturave tropikale, në shtet problem serioz paraqet edhe zjarrvënia e qëllimshme. Por, megjithëkëtë, lufta me flakët vazhdon me të gjitha resurset materiale dhe njerëzore – shërbimet dhe zjarrfikësit janë vazhdimisht në terren dhe japin përpjekje mbinjerëzore për të shpëtuar sa më shumë sipërfaqe”, theksojnë nga VMRO-DPMNE, duke shtuar se kur LSDM thotë se shteti nuk ka pajisje të përshtatshme për përballje me zjarret, kjo në fakt është pranim i tyre se për shtatë vite në pushtet kanë lënë pas vetes shkatërrim dhe nuk kanë investuar në pajisje të reja, as për njësitë zjarrfikëse, as për institucionet e tjera jetike. (Naim Sinani, TVM2)
