Kumanovë, vijon shpërndarja e rrjetit të gazifikimit

26.07.2025 17:05

Qyteti i Kumanovës për vite me rradhë...

Qyteti i Kumanovës për vite me rradhë po vazhdon pandrërprerë investimet për instalimin e rrjetit të gazifikimit të qytetit. Nga Ndërmarrja publike "Kumanova Gaz" njoftojnë se vazhdimisht po punojnë për shpërndarjen dhe zgjerimin e rrjetit, gjithashtu thonë se kjo ndërmarrje aplikoi me dy projekte në thirrjen e dytë qeveritare për investime kapitale nëpër komuna.

“Bëhet fjalë për ndërtimin e një rrjeti gazsjellësish në rrugë me gjatësi gjashtë kilometra e gjysmë në disa lokacione në Kumanovë”, informoi drejtori i NP “Kumanova Gaz”, Marko Mitrovski.

“Si ndërmarrje kishim aplikuar për dy projekte, njëri projekt në gjatësi prej 5.800 metrash, kurse projekti tjetër 700 metra, bëhet fjalë për rrugë në gjatësi prej 6.500 metrash në lokacione të ndryshme në komunën e Kumanovës. Nëse arrijmë ti realizojmë e ti përfundojmë këto rrugë, do të ishte ky një realizim prej 10 mijë metrash që nuk ka ndodhur deri më tani. Ndryshe çmimi i gazit çdo muaj ndryshon varësisht nga oferta e furnizuesve tanë, mirëpo presim që në fillim të sezonit të ngrohjes çmimi i gazit të jetë stabil. Por varet nga çmimet në bursat botërore të cilat edhe ne doemos ti përcjellim. Pritet që kyçja sa më e madhe e qytetarëve në rrjetin e gazifikimit të ndikoj në pengimin e ndotjes së ajrit.”, - shtoi mes tjerash Mitrovski.

Ndryshe Komuna e Kumanovës aplikoi në thirrjen e dytë me 11 projekte, në një vlerë totale prej 814 milionë denarësh. Vlen të thuhet se në thirrjen e parë u miratua projekti për ndërtimin e infrastrukturës në zonën industriale të Reçicës, rindërtimin dhe ndërtimin e kanalizimeve atmosferike në rrugën "Bajram Shabani" dhe zgjerimin e rrjetit të tubacionit të gazit deri në objektet industriale në Dobroshan. (Fatlum Aqifi, TVM2)