Shoqata e pensionistëve në Tetovë mirëpret paralajmërimet për rritjen e pensioneve

26.07.2025 17:34

Qeveria ka paralajmëruar rritjen e pensioneve prej 2.000 denarësh...

Qeveria ka paralajmëruar rritjen e pensioneve prej 2.000 denarësh, rritje e cila do të realizohet në dy faza, 1.000 denarë në shtator 2025 dhe 1.000 denarë të tjera në prill të vitit 2026. Qeveria tashmë ka miratuar ndryshimet në Ligjin për sigurim pensional dhe invalidor, ndërsa rritja do të jetë lineare. Shoqata e pensionistëve në Tetovë e ka mirpritur një vendim të tillë, por theksojnë nevojën për rritje më të madhe sidomos të pensioneve minimale. 

“Përveç shprehjes së kënaqësisë, për këtë rritje lineare, ka mundur edhe pak më tepër të jetë, lusim për më tepër deri në fund të pagesës të këtyre mjeteve që i ka vendosur qeveria.” – tha Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Tetovës, Selver Memeti.  

Pensionistët e vlerësojnë pozitivisht edhe rritjen lineare të pensioneve, sepse në këtë mënyrë nuk lejohet rritja e dallimeve mes pensioneve të larta dhe pensioneve të ulëta.

“Në mëngjes përpara shoqatës së pensionistëve ishin 7, 8 ose 9 pensionist dhe e kam bërë një mini anketë, nga gjithë 9 pensionistët vetëm njëri ishte kundër, të tjerët shprehin kënaqësi që me të vërtetë rritja e pensioneve në mënyrë lineare, janë të kënaqur të gjithë ato pensionistë.” – deklaroi Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Tetovës, Selver Memeti.

Nga shoqata e pensionistëve në Tetovë kërkojnë që rroga, pensioni mesatarë të jetë i barabartë me rrogën minimale.  Sipas të dhënave zyrtare, vendi ka rreth 345 mijë pensionistë, ku shumica marrin nga 18.000 deri në 22.000 denarë në muaj.

Sipas Ministrisë së Financave, pas rritjes së fundit të pensioneve, pensioni mesatar do të rritet në 26.211 denarë, ndërsa pensioni minimal pas rritjes në mars 2025 ka arritur 18.192 denarë. Në gjashtë muajt e fundit, pensionistët kanë përfituar rritje prej 5.000 denarësh, në dy pjesë, në shtator 2024 dhe mars 2025. (Abibe Qaili, TVM2)