Mbyllja e mediave të huaja në rajon, ekspertët: Cenohet gazetaria hulumtuese
Mbyllja e mediave të huaja...

Mbyllja e mediave të huaja dhe rrjetit të korrespondencës së tyre dhe ndërprerja e mjeteve financiare të USAID-it për përkrahjen e gazetarisë hulumtuese dhe objektive, pa dyshim se do të hedhë hije në informimin e drejtë të qytetarëve.
Ky është mendimi i njohëses së punës së mediave, njëherit edhe drejtoreshë e Institutit për Studime të Komunikimit, Zhaneta Trajkoska.
Ajo vlerëson se me këtë në mënyrë të drejtpërdrejt dëmtohen dhe cenohen mediat e pavarura, të cilat kishin produksione të pavarura dhe investuan në gazetarinë investigative dhe analitike, thekson Trajkoska.
“Në Maqedoninë e Veriut po ashtu humbëm një media profesionale, i cili jepte një pasqyrë, vështrim ndryshe të ngjarjeve që po na ndodhin në suaza ndërkombëtare, e në veçanti për vatrat e luftës, ku mediat tona për fat të keq ato informacione jepen në fund të edicionit të lajmeve. Në përgjithësi shikuesit tanë do të mbeten të painformuar në pjesën e grumbullimit të fakteve nga të gjitha anët dhe këtë po e them për “Al Jezeira”. Ne tani jemi medium, sepse po përdorim internetin dhe rrjetet sociale, mirëpo aty nuk ka kontroll redaktorial, që do të thotë se furnizohemi me lajme të kontrolluara, dhe në qoftë se nuk jemi mjaftueshëm të edukuar, për të dalluar çfarë është e vërteta e çfarë është dezinformim dhe çfarë është narrativ i dëmshëm, shumica e qytetarëve tanë do të mund të jenë pre e gënjeshtrave.” – tha Drejtoresha e Institutit për studime të Komunikimit, Zhaneta Trajkoska.
I të njëjtit mendim është edhe kryetari i Institutit për Media dhe Analitikë IMA, Petrit Saraçini, sipas të cilit, pa dyshim se të gjitha këto lëvizje në tregun mediatik në Ballkanin Perëndimor, do të ndikojnë negativisht, jo vetëm ndaj informimit të drejtë të qytetarëve, por edhe në ushtrimin e kësaj veprimtarie në rajon.
“Tani si do të zhvillohet kjo puna e mbylljes së mediave në rajonin e Ballkanit Perëndimor unë nuk jam shumë optimist. Sa i përket ‘Al Jezeirës’ dhe ‘Evropës së Lirë’, ato ishin media të cilat përbënin një farë dritareje rajonale dhe mundësi për të parë se çfarë po ndodh në vende tjera të Ballkanit Perëndimor. Me këtë në një farë mënyre ngushtohet hapësira për informim të ndërsjellë për gjëra të cilat ndodhin në rajon.” – u shpreh Kryetari i IMA, Petrit Saraçini.
Një rast konkret ishte mbyllja e projektit rajonal të “Al Jezeira Ballkans” me ç’rast mbetën të papunë rreth 200 persona, ndërsa arsyet specifike të mbylljes, siç u tha ishte një strategji më e gjerë për të “forcuar praninë digjitale dhe për të zgjeruar platformat e reja mediatike.”.
Këto media, në rajonin tonë me rreth 20 milion banorë, gjithmonë konsiderohen si media që nuk ndikohen nga forcat kryesore politike.
Saraçini edhe Trajkoska theksojnë nevojën imediate të ringjalljes dhe zgjerimit të rrjetit të korrespondencës së mediave kombëtare, pasi që janë të shqetësuar për shkurtimin e tyre nëpër mediat e vendit.
Ata vlerësojnë se një zgjidhje e mirë në këtë rast do të ishte të thellohet bashkëpunimi me mediat e huaja, për të shkëmbyer materiale, me ç’rast publiku nuk do të jetë i pa informuar, respektivisht do të informohej në kohë, në mënyrë reale dhe objektive për gjërat që ndodhin përtej kufijve. (Rexhep Qamili, TVM2)
